Qindra të arrestuar në “qendrat e masazhit” ku u ushtrua prostitucion

Prishtinë | 24 Sht 2018 | 17:04 | Nga

Sallonet e masazheve në Kosovë janë kthyer në qendra seksi. Vetëm gjatë këtij viti për prostitucion në qendra të tilla janë arrestuar rreth 50 persona. Ky numër i të arrestuarve nëpër tërë Kosovën për pesë vitet e fundit arrin deri në 300 të arrestuar, derisa vendet më të prekura nga kjo dukuri vazhdojnë të mbesin qytetet e mëdha.

Në Policinë e Kosovës i kanë thënë Gazetës Express se shumica e të arrestuarve për këtë vepër janë me shtetësi të Kosovës, ndërsa një pjesë e tyre vijnë edhe nga Shqipëria.

Ishin nisur për të punuar si masazhere, por pak kohë pasi filluan punën ndryshoi profesioni i tyre.

Të punësuarat në këtë qendra mësuan se në aty nuk bëhej vetëm masazh, por ushtrohej edhe prostitucion.

Shumë prej tyre ranë viktima të prostitucionit dhe u arrestuan, ndërsa të tjera vazhdojnë ta “shesin” trupin e tyre vetëm për ta siguruar jetesën.

E pavarësisht arrestimeve të shumta që bëhen për këtë vepër, prostitucioni po lulëzon në Kosovë.

Vetëm në javën e tretë të shtatorit për marrje me prostitucion janë arrestuar mbi 50 persona. Ndërsa, që prej vitit të kaluar dhe për tre muajt e parë të këtij viti, sipas statistikave të Policisë, janë arrestuar mbi 100 të dyshuar.

“Në pesë (5) vitet e fundit për veprën kundërvajtëse Marrje me Prostitucion janë të arrestuar gjithsej 288 persona të dyshuar të ndarë sipas viteve: 2013-22, 2014-42, 2015-69, 2016-52, 2017-75 dhe tre mujori 2018-28”, kanë thënë në polici.

Në Polici deklarojnë se një numër i madh i këtyre personave janë arrestuar nëpër “sallone të masazheve”. Derisa, thonë se trajtimi i këtyre rasteve është bërë bazuar në ankesat e qytetarëve.

Vetëm në sallone të masazhit pohojnë se në dy vitet e fundit janë arrestuar 28 persona.

“Policia e Kosovës është në dijeni dhe ka trajtuar disa raste që gjatë ushtrimit të biznesit si sallone masazhi, janë kryer edhe veprimtari tjera të dyshuara qofshin ato të prostitucionit, mundësimit në prostitucion apo edhe te trafikimit me njerëz.

Qasja në trajtimin e këtyre rasteve është bërë bazuar në ankesat e qytetarëve por edhe sipas informacioneve që kanë ardhur nga tereni dhe veprimeve tona operative ku vendet më të prekuara janë qytete e mëdha”, thuhet në përgjigjet e policisë.

Deklarojnë se shumica e të arrestuarve janë me shtetësi të Kosovës, por thonë se ka edhe nga Shqipëria.

Policia informon se nga marsi e deri tani janë realizuar hetime për 7 raste në 9 qendra të masazhes, dhe kanë arrestuar 28 persona të dyshuar për vepra penal, si : trafikim me njerëz, mundësim ose detyrim në prostitucion, ofrim I lokaleve për prostitucion, bashkëkryerje, dhe marrje me prostitucion.

E përderisa në Kosovë, prostitucioni konsiderohet si vepër kundërvajtëse dhe dënohet me gjobë prej 100 deri në 900 euro, apo edhe me dënim me burg deri në 60 ditë, disa vende të tjera janë përpjekur ta rregullojnë me ligj.

Madje në këto vende, punonjëseve të seksit u ofrohen përfitime shëndetësore dhe sociale.

Gjermania, Holanda, Belgjika e Austria, janë vetëm disa prej vendeve ku prostitucioni është legalizuar.Të tjera vende janë edhe Zelanda e Re, Australia, Bangladeshi, Brazili, Kanadaja, Kolumbia, Danimarka, Ekuadori, Franca, Greqia e Indonezia.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme