Qendra e Numërimit dhe Rezultateve sot pritet t’i numërojë të gjitha votat me kusht dhe ato me postë.
Kështu tha në një prononcim për Telegrafin koordinatori i Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve (QNR), Burim Ahmetaj.
“Është rezultat preliminar ende nuk janë futur 100 për qind votat në numërim. Mirëpo, gjatë ditës do të bëjmë përpjekje që ta kompletojmë, edhe pse në QNR do të dërgohen votat me kusht dhe ato me post që i bashkohen votave të rregullta, dhe pastaj do ta kemi rezultatin përfundimtar në Qendrën e Numërimit”, ka thënë Ahmetaj.
Ai po ashtu tha se KQZ-ja nga vendvotimet i ka numëruar të gjitha votat, mirëpo i gjithë materiali ende nuk ka ardhur në QNR, nga Prishtina dhe Gjakova.
“Presim materialin nga Prishtina dhe Gjakova, ndërsa materiali nga komunat tjera ka arritur në QNR dhe janë duke u pritur për tu pranuar. Mirëpo tash materiali i nënshtrohet procesit të pranimit në qendër si formularët e rezultateve, kutitë e votimit etj. Pastaj do të vazhdoj në formulimin e të dhënave për numërimin e rezultateve që bëhet manualisht për t’i pasur rezultatet përfundimtare”, tha ndër të tjera koordinatori i QNR-së, Burim Ahmetaj.