Qorolli akuzon prokuroren për rastin e Arlinda Zekajt: Ajo duhet të jap llogari, para ligjit dhe para Zotit

Prishtinë | 26 Tet 2026 | 09:09 | Nga Ekonomia Online

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje dhe njëherit, kryetari i Komisionit Parlamentar për Legjislacion, Vigan Qorolli, ka reaguar pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, e cila dyshohet se u vra nga kunati i saj.

Në një postim në Facebook, Qorolli ka kritikuar prokuroren e Pejës, Suada Hamza, duke e akuzuar se nuk ka ndërhyrë për ta mbrojtur Arlindën, pavarësisht se ajo kishte kërkuar ndihmë.

Duke iu referuar letrës së shkruar nga Arlinda, Qorolli ka shprehur dhimbjen për rastin, duke theksuar se ajo kishte kërkuar mbrojtje nga institucionet, por nuk arriti ta shpëtonte jetën e saj.

“Tani ajo duhet të jap llogari, para ligjit dhe para Zotit, pse e “lejoi ligjërisht” vrasjen e saj! Tani, ndërsa po e lexoj amanetin e Arlindës, po qaj. Po qaj për Arlindën, për frikën që mund ta ketë ndier, për ditët kur ka pritur ndihmë, për shpresën që e ka mbajtur gjallë, ndërsa kërkonte mbrojtje. Po qaj për faktin se një njeri mund ta shtrijë dorën drejt Prokurorisë dhe prapëseprapë të mos arrijë ta shpëtojë jetën e vet.Nuk mund ta kthejmë kohën pas. Nuk mund t’ia kthejmë jetën Arlindës”.

“Por nuk guxojmë ta lejojmë që zëri i saj të shuhet bashkë me të. Sa herë duhet të kërkojë një grua ndihmë, që të ketë të drejtën të jetojë e sigurt? Arlinda, më dhemb që nuk je më. Më dhemb që kjo letër ka mbetur dëshmi e asaj që kërkove dhe që duhej ta kishe pasur: mbrojtjen. Le të mos jetë dhimbja jote e kotë. Le të bëhet kujtesë, ndërgjegje dhe përgjegjësi. Sepse asnjë grua nuk duhet të vdesë pasi ka kërkuar të jetojë”, shkroi mes tjerash Qorolli.

Të ngjashme