Rritja e çmimit të faturave të energjisë elektrike gjatë muajit dhjetor ka shtuar pakënaqësitë e qytetarëve, të cilët thonë se çmimet janë të papërballueshme, sidomos për pensionistët dhe kategoritë me të ardhura të ulëta, raporton Ekonomia Online.
Qytetari Bajram Kastrati ka deklaruar për Ekonomia Online se fatura e energjisë elektrike për muajin dhjetor ka qenë rreth 20 euro më e shtrenjtë krahasuar me muajt e tjerë.
“E kam marrë faturën për muajin dhjetor dhe është 20 euro më e shtrenjtë, më ka ardhur 65 euro. A po mundemi? Nuk kemi çare, se vjen edhe e këputë, sepse rryma është burim i jetës. Në Evropë e në Ballkan, rryma është shumë më e shtrenjtë se tek ne – kjo është mizerie. Me 150 euro pension e me pagu 65 euro rrymë, është sikur me pas fabrikë. Çare nuk ke. Jetojmë unë, gruaja, djali me gruan dhe dy fëmijë. Gruaja ka 120 euro pension, unë 170. Para lufte kam punuar 14 vjet gazetar në Radio Prishtina”, ka thënë Kastrati.
Se çmimet e energjisë janë të larta e thotë edhe qytetari Florim Beqiri për Ekonomia Online, e ku thekson se pensionistët janë kategoria më e prekur nga kjo rritje.
“Duke i ditur të ardhurat në Kosovë, rryma është shumë e shtrenjtë. Një pjesë e qytetarëve ndoshta arrijnë me pagu, por gjithmonë duhet të mendojmë për kategoritë më të cenuara, e ata janë pensionistët. Të ardhurat e tyre janë shumë të ulëta dhe është e dhimbshme se si arrijnë me nda nga 150 euro pension për me pagu rrymën. Nuk është vetëm energjia elektrike e shtrenjtë, por edhe uji, higjiena, ngrohja – dhe kjo është shumë shqetësuese”, ka thënë Beqiri.
Ai ka kritikuar edhe Qeverinë, duke theksuar se duhet më shumë kujdes për kategoritë e ndjeshme shoqërore.
“Qeveria duhet ta ketë parasysh këtë kategori njerëzish. Ata kanë obligim të punojnë që secili qytetar të ketë një jetë dinjitoze. Me këto të ardhura, gjendja është shumë e rëndë. Ata që janë në pushtet duhet të jenë të ndërgjegjshëm dhe të punojnë ditë e natë për t’ua lehtësuar jetën njerëzve të papunë, personave me nevoja të veçanta, invalidëve dhe, në veçanti, pensionistëve”, ka theksuar Beqiri.



