Forca e Sigurisë së Kosovës, gëzon besimin më të lartë të qytetarëve, e pasuar nga Policia e Kosovës.
Ndërsa ka rënie të besimit të qytetarëve për kryeministrin, presidentin, AKI-në dhe ministrin e Punëve të Brendshme.
Këto të dhëna u bënë të ditura sot në tryezën me temë “Monitorimi i Sektorit të Sigurisë së Kosovës: nëntor 2016 – shkurt 2017”, ku edhe u prezantua Observeri i Sektorit të Sigurisë së Kosovës të organizuar nga Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillim të Politikave, raporton Ekonomia Online.
Mentor Agani hulumtues tha se besimi që është matur nga ky hulumtim nuk është besim i përgjithshëm, por besim në aspektin e sigurisë.
“E kemi një tendencë brengosëse. Të gjitha institucionet kanë pasur rënie në besim. Mirëpo kampionë në besim është FSK ndërsa vlerat më të ulëta i ka AKI, presidenti, drejtori i AKI, Komisionit Parlamentar për Inteligjencë, ministri i Punëve të Brendshme dhe kryeministri”, ka thënë ai.
Ai ka përmendur edhe besueshmërinë e shqiptarëve të veriut dhe serbëve.
“Sa i përket besimit të shqiptarëve të veriut të Kosovës këta të fundit besimin më të lartë e kanë në FSK dhe Policinë e Kosovës ndërkaq më të ulëtin në presidentin dhe kryeministrin. Ndërsa serbët e veriut i besojnë më së shumti Policisë së Kosovës dhe ministrit të Punëve të Brendshme ndërkaq më së paku Forcës së Sigurisë dhe ministrit të Forcës së Sigurisë”, ka pohuar ai.
Kurse drejtori ekzekutiv i KIPRED-it, Lulzim Peci tha se në këtë hulumtim është prekur edhe çështja e dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë. Sipas tij marrëveshjet e arritura në Bruksel janë të parat me të cilat Kosova dhe Serbia janë pajtuar.
Peci ka thënë se ndërtimi dhe zbatimi i masave të mirëbesimit në fushën e sigurisë midis Kosovës e Serbisë është një instrument i domosdoshëm për ta mundësuar dhe siguruar vazhdimësinë e procesit dialogues, duke përmendur disa rekomandime.
“BE-ja, në bashkëpunim me NATO-n, duhet të inicojnë sa më parë hapjen e dialogut midis Kosovës e Serbisë për ndërtimin e masave të mirëbesimit në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë, korniza e këtij dialogu mund të mbështetet në modelin e OSBE-së, Brukseli duhet ta shqyrtojë mundësinë që në kuadër të kapitullit 35 të bisedimeve për akcesion të Serbisë në BE ta kushtëzoj Beogradin për t’i ndryshuar politikat e sigurisë dhe të mbrojtjes që kanë të bëjnë me Kosovën, KFOR-i duhet ta shqyrtojë mundësinë që në patrullimet e përbashkëta kufitare me ushtrinë e Serbisë fillimisht të kyçet Policia Kufitare e Kosovës”, ka thënë ai.
Vlerat më të larta të besimit sa i përket çështjes së sigurisë nga qytetarët i gëzon FSK-ja me 3.74% të pasuar nga Policia e Kosovës më 3.65%.
Ndërkaq vlera të theksuara të ulëta të besimit gjatë periudhës nëntor 2016-shkurt 2017 kanë shënuar gjashtë institucione si AKI më 2.39% presidenti më 2.22% drejtori i AKI-së 2.14%, Komisioni Parlamentar për Inteligjencë 2.10% ministri i Punëve të Brendshme 2.06% dhe kryeministri 2%.