Qytetarët s’kanë interesim për t’u vaksinuar pas uljes së rasteve me Covid-19

Prishtinë | 07 Tet 2021 | 17:27 | Nga Ekonomia Online

Interesimi i qytetarëve për t’u vaksinuar kundër COVID-19 ka rënë së fundmi në Kosovë. Në baza ditore, numri i të vaksinuarve është dyfish më i vogël se gjatë javëve të kaluara. Ndërsa, Ministria e Shëndetësisë e lidh uljen e interesimit për ta marrë vaksinën me uljen e rasteve të reja me COVID-19.

Me uljen e numrit të rasteve të reja të infektuara me COVID-19 në Kosovë është ulur edhe interesimi i qytetarëve për t’u vaksinuar kundër këtij virusi.

Përgjysmë më pak të vaksinuar se gjatë javëve të kaluara ka regjistruar vendi ditët që lamë pas.

E interesim më i ulët për ta marrë vaksinën është parë edhe gjatë 24 orëve të fundit.

Gjatë kësaj kohe, nga 10 mijë e 736 vaksina të administruara, vetëm 1 mijë e 883 ishin për dozën e parë.

Derisa, javë më parë numri i vaksinave të administruara gjatë një dite shkonte edhe në mbi 22 mijë, kur mbi 6 mijë qytetarë paraqiteshin për t’u vaksinuar për herë të parë.

Se është ulur interesimi për t’u vaksinuar e kanë pohuar edhe nga Ministria e Shëndetësisë.

Zëdhënës për informim në këtë ministri kanë thënë se ka një interesim paksa më të vogël për vaksinim e kjo sipas tyre ndërlidhet me situatën e cila është më e qetë.

Megjithatë, nga kjo ministri ka thënë se tani që qytetarët kanë mundësinë të vaksinohen edhe gjatë vikendeve është bërë shpërndarja e dozave dhe shifrat janë gati të ngjashme brenda një jave.

“Ka më shumë një shpërndarje të dozave, sepse tash vaksinohet edhe të shtunave edhe të dielave, por në total shifrat janë afërisht gati të ngjashme brenda një jave si tërësi. Por, ka një interesim paksa më të vogël, që është e vërtetë, dhe kjo ndërlidhet me faktin që kur situata epidemiologjike është më e qetë, edhe numri i të interesuarve për vaksinim bie, përkundër që do të duhej të ishte e kundërta dhe qytetarët të vaksinohen, jo nga frika, por nga kujdesi për shëndetin e tyre”, është thënë nga MSH.

Tutje zëdhënës për informim ka thënë se trendi i vaksinimit ka qenë pozitiv gjatë muajit shtator dhe se duan të shohin edhe më shumë interesim për ta marrë vaksinën.

“Trendi ka qenë shumë pozitiv dhe vetëm gjatë shtatorit janë administruar për një muaj mbi 500,000 doza, më së shumti për kokë banori në rajon, ndërsa totali i dozave të administruara ka shkuar në mbi 1.4 milion doza. Megjithatë, MSh dëshiron të shoh më tepër interesim, me që ka mjaft doza, nuk pritet fare për vaksinim dhe vaksinohet 7 ditë në javë”, kanë shtuar nga MSH.

Ndërsa, edhe drejtorë të Shëndetësisë nëpër komuna kanë treguar se interesimi për t’u vaksinuar ka rënë shumë ditëve të fundit.

Drejtoresha e Shëndetësisë në Gjakovë, Afërdita Spahiu-Shllaku ka thënë për Express se interesimi për t’u vaksinuar ka qenë dukshëm më i ulët këtë muaj.

Ajo ka theksuar se këtë çështje e kanë ngritur edhe në takimin e sotëm me ushtruesen e detyrës së ministres së Shëndetësisë dhe se do të shohin situatën javëve në vijim në mënyrë që të dinë se si të veprojnë.

“Në muajin tetor ka rënie të interesimit për t’u vaksinuar. Javën e fundit ka pasur pak interesim, ka pasur rënie shumë të madhe të interesimit për ta marrë vaksinën. Një pjesë e madhe e qytetarëve është vaksinuar, një pjesë ndoshta edhe nuk donë të vaksinohet. Mbetet të shihet javëve të ardhshme qysh të veprojmë”, ka deklaruar ajo.

Spahiu-Shllaku është shprehur se të gjitha grupmoshat kanë pasur interesim për ta marrë vaksinën, por që gjendja ka ndryshuar.

Interesimi për të marrë vaksinën ka rënë edhe në komunën e Ferizajt.

Drejtoresha e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në këtë komunë, Nadire Ymeri, ka thënë për gazetën se ka pasur terminë të ndara për vaksinim, por që së fundmi një numër më i vogël i qytetarëve kanë shkuar për ta marrë vaksinën.

Ajo është shprehur se po presin që gjatë vikendeve të rritet numri i personave që shkojnë për t’u vaksinuar.

“Ka të interesuar po ditëve të fundit ka pasur më pak qytetarë, ka pas termine të ndara po nuk e di. Po presim të shtunave të dielave me u rrit numri”, ka theksuar ajo.

Ymeri ka treguar se një interesim pak më të madh për ta marrë vaksinën kanë pasur moshat e shtyra.

Një gjendje e njëjtë është edhe në komunat tjera. Më uljen e rasteve të infektuara me COVID-19, interesimi i qytetarëve për t’u vaksinuar ka qenë më i ulët.

Kujtojmë që deri tani në Kosovë janë administruar 1 milion e 407 mijë e 966 vaksina.

819 mijë e 485 persona janë vaksinuar me dozën e parë të vaksinës./GazetaExpress

Të ngjashme