Rahoveci fton të rinjtë në programin “Ponder” për ndryshime pozitive

Prishtinë | 13 Tet 2016 | 16:07 | Nga

Në takimin e organizuar sot në Drejtorinë për Kulturë, Rini dhe Sport me një ekip të organizatës “Innovations Lab Kosovo”, mbështetur nga UNICEF-i, u fol për perspektivën e të rinjve të komunës së Rahovecit.

Ndër të tjera Valon Nushi, koordinator i projektit për Ngritjen e aftësive rinore për avokim dhe organizim të fushatave rinore, si dhe për Ngritjen e kapaciteteve rinore për biznese shoqërore, informoi se edhe të rinjtë e komunës së Rahovecit mund të jenë pjesë e këtyre projekteve.

Për këtë qëllim, “Innovations Lab Kosovo” po ndihmon UNICEF-in dhe partnerët që të rishohin zhvillimin rinor në Kosovë. Prandaj, në këto projekte janë angazhuar një numër ekspertësh të fushave të ndryshme, duke synuar rritjen e pjesëmarrjes së të rinjve në organizimin e fushatave informuese dhe organizim të bizneseve, ku përfitues do të ishte komuniteti në përgjithësi.

Në këtë kuadër është aktivizuar projekti PONDER, që është program i edukimit jo-formal, që ka për synim përmirësimin e aftësive të mendimit kritik, që ka të bëjë me informatat dhe mesazhet që të rinjtë marrin në mediet sociale dhe ato tradicionale. Po ashtu edhe programi “UPSHIFT” është një mundësi e mirë që duhet shfrytëzuar, shtoi ndër të tjera Nushi.

Programi “Ponder” ofron këto mundësi: Aftësi më të mira për të shkruar dhe lexuar, aftësi për të kuptuar dhe sfiduar informatat subjektive, mundësi për internship/punë praktike afat-shkurtër në mediume (Portale online, gazeta, televizione, apo radio), informata më të detajuara rreth lajmeve të cilat merren në rrjetet sociale dhe mediat tjera, pjesëmarrje në garën ”Kritikët e Rinj”, për shkrimin/artikullin më të mirë të publikuar, pjesëmarrje në punëtorinë tre-ditore PONDER.

Të interesuarit mund të aplikojnë duke plotësuar formularin që ndodhet në faqen e ILK-së: www.kosovoinnovations.org/ponder.

Afati i fundit për aplikim në programin “Ponder” është deri më 15 tetor 2016, ndërsa punëtoria do të mbahet më 21 – 23 tetor. Ndërsa, informatat për programin “Upshift” mund të merren në adresën e cekur më sipër.

Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport fton të rinjtë e komunës së Rahovecit që të aplikojnë në këto programe dhe të bëhen pjesë e ndryshimeve pozitive, duke u aftësuar për të marrë përgjegjësi më të mëdha shoqërore.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme