Rama anulon vendimin e Veliajt, konfirmon Anuela Ristanin në detyrën e kryetarit të Bashkisë së Tiranës

Prishtinë | 20 Mar 2025 | 16:12 | Nga Ekonomia Online

Erion Veliaj ka firmosur një urdhër të ri për delegimin e detyrave të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, duke ia besuar ato nënkryetares Sara Goxhaj. Më 18 mars, nga qelia e burgut në Durrës, Veliaj ka firmosur urdhrin me numër 582, që i jepte kompetencat e kryetarit të bashkisë Goxhajt, duke anuluar vendimin e mëparshëm për delegimin e detyrave tek Anuela Ristani.

Në urdhrin e firmosur, Veliaj ka përcaktuar se periudha e ushtrimit të detyrave të kryetarit të bashkisë nga Goxhaj do të fillonte më 19 mars 2025, deri në një urdhër tjetër. Urdhri i ri zëvendëson vendimin e mëparshëm të datës 14 shkurt, ku detyrat i ishin deleguar Ristanit.

Pavarësisht këtij ndryshimi, vendimi i Veliajt nuk ka marrë miratimin e kryeministrit Edi Rama. Pas vizitës së tij në Bashkinë e Tiranës mbrëmjen e kaluar, mediet raportojnë se Rama ka kërkuar që protokolli të mos regjistrojë urdhrin e Veliajt, duke i dhënë fund ndryshimeve dhe duke konfirmuar në detyrë Anuela Ristanin.

Pas arrestimit të Veliajt, Rama dhe Ristani janë angazhuar së bashku në disa inspektime dhe aktivitete të Bashkisë së Tiranës.

Të ngjashme