Rama bën ndryshime në qeverisjen komunale, mes shkarkimeve themelon edhe Drejtorinë për Transformim

Prishtinë | 05 Shk 2024 | 18:33 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama e ka shkarkuar Donjeta Sahatçiun nga posti i nënkryetares së Komunës në kuadër të asaj që ai e ka quajtur ristrukturim i kabinetit.

Pak ditë pas shkarkoi ish drejtorin për shërbime publike, Ilirik Musliun, ai sot publikoi edhe një rend tjetër ndryshimesh në kabinetin komunal qeverisës.
Rama ka emëruar edhe disa drejtorë tjerë, ndërsa shkroi në Facebook se ka filluar procesin e transformimit të Prishtinës me projkekte e ndryshime “pozitive”.

“”Këto dy vite kemi punuar shumë së bashku me ekipin dhe pavarësisht sfidave, kemi filluar procesin e transformimit të Prishtinës, duke nisur projekte madhore dhe duke përgatitur plot të tjera që do të fillojnë këtë vit e që kanë për synim ndryshimet pozitive në qytetin tonë. Rrjedhimisht, kam marrë vendim për ristrukturim të kabinetit qeverisës të Kryeqytetit”.

“Në funksion të përshpejtimit të transformimit të Kryeqytetit dhe avancimit të standardeve të ndërtimit dhe sigurisë së qytetarëve, kam vendosur që të themeloj Drejtorinë për Transformim. Në krye të saj, kam emëruar arkitektin e njohur, z. Ilir Murseli”, shkroi Rama.

Tutje, ai fushën e funksionimit dhe menaxhimit më të mirë të sektorëve të Planifikimit e Urbanizmit, ka marrë vendim që t’i bashkoi dy drejtori në një Drejtori të vetme, në krye të së cilës do të jetë arkitekti, Arbër Sadiki.

Rama po ashtu tregoi se Drejtoria e Pronës dhe Drejtoria e Kadastrit do të shkrihen në një Drejtori të Pronës dhe Kadastrit, e cila do të udhëhiqet nga znj. Doruntina Maloku. Ndërsa, Drejtori i deritanishëm i Kadastrit, z. Donat Lushaku do të emërohet në pozitën e Zëdhënësit të Kryeqytetit.

“Pas lirimit nga detyra të Drejtorit të Shërbimeve Publike, sot, kam emëruar z. Bekim Brestovci, një profesionist me përvojë shumëvjeçare në Gjermani dhe Kosovë, si Drejtor të ri të Shërbimeve Publike. Pres nga ai që të ndërmerr menjëherë, të gjitha masat e nevojshme për t’i dhënë fund problemit të mbeturinave dhe të gjitha çështjeve tjera që ndërlidhen me fushëveprimin e kësaj drejtorie”, shkroi Rama në Facebook.

Të ngjashme