Rama: Duhet t’i mbrojmë komunat nga qeveria jonë – çfarë marre, çfarë paradoksi

Prishtinë | 01 Sht 2026 | 11:45 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, në protestën e komunave të mbajtur para Qeverisë, ka kritikuar Qeverinë Kurti për, siç tha, bllokimin dhe ndëshkimin e komunave që nuk udhëhiqen nga Vetëvendosje, raporton Ekonomia Online.

Rama e ka nisur deklaratën duke bërë një krahasim me vitet e ’90-ta, kur, sipas tij, shqiptarët e Kosovës e zhvillonin mësimin nëpër shtëpi pas mbylljes së shkollave nga Serbia.

“Sot është 1 Shtatori. Në vitet e 90-ta kur Serbia na i mbylli shkollat, ne nisëm mësimin nëpër shtëpi. Kishim ditar, krijuam sistem, sepse edhe atëherë, nën okupim, e dinim se shteti ndërtohet duke i mbajtur institucionet gjallë.

Në Kosovë sot, nxënësit po e fillojnë vitin shkollor pa ditarë.

Sot, pas gjithë sakrificës për ta ndërtuar këtë shtet, problemi ynë nuk është se nuk kemi institucione. Problemi është se Albin Kurti po i përdor institucionet për me blloku edhe ndëshku qytetarët.

Shikojeni çka po ndodh me komunat.

Aty ku Vetëvendosja nuk fitoi, qeveria po e bllokon buxhetin e investimeve, po bllokohen të hyrat vetanake, po merren nga buxhetet komunale mjetet për kontrata për të cilat komunat as nuk i kanë bërë, nuk janë bërë pjesë e procesit vendimmarrës.

Edhe kush po e paguan këtë çmim? Nuk po e paguajmë ne kryetarët, po e paguani ju, qytetarë të nderuar. Pas gjithë sakrificës këtij populli, pas luftës, pas njerëzve që dhanë jetën, pas punës së brezave të tërë për me i krijuar institucionet tona, sot kemi ardhur në një pikë ku duhet me i mbrojtur komunat nga njerëzit që udhëheqin këtë institucion. Paramendoni ku kemi ardhur sot! Katastrofale kjo! Duhet me i mbrojtur komunat nga qeveria jonë. Çfarë marre! Çfarë paradoksi?”, ka thënë ai.

“Shikojeni kush i udhëheq këto institucione. Këto institucione sot po i udhëheqin njerëzit që dikur i kanë djegur e i kanë sulmuar me tulla e me gaz lotësjellës pikërisht këto institucione. Fatkeqësia edhe më e madhe është që sot, sot, ministri përgjegjës për sigurinë gjykohet për cenim të sigurisë. Ministri që sot e udhëheq policinë, dikur, dikur e ka sulmuar fizikisht policinë tonë, e ka rrezikuar jetën e tyre duke i sulmuar. Paramendoni çfarë paradoksi! Fatkeqësia është që ministrja që duhet me përfaqësu diplomacinë e Kosovës sot akuzohet pikërisht me sulmin ndaj institucioneve që sot ajo vetë i përfaqëson. Paramendoni kush na përfaqëson! Fatkeqësia tjetër është që kryetarja e Kuvendit, e cila duhet të jetë shembulli më i lartë i respektit dhe integritetit institucional, është akuzuar publikisht se ka kontrabanduar gaz lotësjellës brenda këtyre institucioneve të Kosovës, duke i rrezikuar të gjithë njerëzit brenda tyre e duke i dëmtuar institucionet e shtetit tonë. Dhe për më tepër, për më tepër, për ta udhëhequr kuvendin e Republikës së Kosovës, për të cilin në këtë shesh është derdhur gjak”, tha Rama.

Të ngjashme