Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjeneral Rahman Rama, është optimist se shumë shpejt do të krijohen Forcat e Armatosura të Kosovës (FAK).
Komandant Rama ka deklaruar për RTK-në se FSK është e gatshme për shndërrimin në FAK.
“Sfidat kryesore janë pengesat politike që ndërlidhen me transformimin dhe kjo nuk është çështje e jona. Unë mendoj se FSK-ja në kuptimin profesional ka avancuar. Tjerat janë çështje politike për të cilat nuk dua të diskutoj. Kjo gjë po na pengon në shumë aktivitete, veçmas ato regjionale dhe më gjerë”, ka theksuar Rama.
Rama është shprehet shumë optimist se krijimi i ushtrisë do të ndodhë shumë shpejt, ndonëse nuk pranon që të jep ndonjë afat kohor për një gjë të tillë.
“Bazuar në misionin që kemi ne duhet të respektojmë këto rregulla që janë. Por kurdo që të merren vendimet për ndryshime, ne duhet të jemi të gatshëm, të përgatitemi dhe të jemi të parapërgatitur për punën tonë. Unë ju garantoj që jemi të gatshëm. Jam shumë optimist dhe besoj që transformimi në ushtri do të ndodhë shpejt sepse është shumë më mirë edhe për FSK-në edhe për vendin. Unë nuk mund të jap afate kohore sepse nuk varet prej meje. Kurdo që të merret vendimi politik ne jemi të gatshëm të marrim detyra të reja”, thotë komandant Rahman Rama.