Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, i është bashkuar nismës legjislative qytetare të Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), për ndryshimin e Kodit Penal duke e cilësuar atë si një hap të rëndësishëm drejt forcimit të demokracisë dhe qytetarizmit aktiv, raporton Ekonomia Online.
Rama ka bërë thirrje për respektimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe ligjeve në fuqi, duke theksuar nevojën që keqpërdoruesit e fondeve publike të mbajnë përgjegjësi para institucioneve të drejtësisë.
“Demokracia po fillon me qytetarizëm aktiv. Ju përgëzoj për këtë nismë… nismë me të cilën tregojnë që populli ynë, në njëfarë mënyre edhe ka filluar një vetëdijësim edhe më të qartë, të jetë në nivelin shoqëror, ku edhe kërkon përgjegjësi nga institucionet, kërkon përgjegjësi nga politikanët, kërkon përgjegjësi nga secili qytetar që të respektohen vendimet e Gjykatës Kushtetuese, pra që të respektohet ligji në fuqi, që të respektohet faktikisht shteti”, tha Rama.
Sipas tij, mosrespektimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese është mosrespektim i shtetit.
“Sepse person, kushdo që ata janë, nëse nuk e respektojnë… nëse nuk i respektojnë vendimet e Gjykatës Kushtetuese, në njëfarë mënyre nuk po e respektojnë as shtetin”, tha ai.
Rama ka përmendur edhe keqpërdorimin e fondeve publike për nevoja partiake.
“Po ashtu edhe ata të cilët partitë apo personat të cilët i kanë keqpërdorur ligjin apo i kanë i kanë keqpërdorur fondet publike për nevojat e veta partiake, pra siç ka ndodhur edhe në dhjetor, edhe tash në qershor, ku paratë publike janë përdorur në njëfarë mënyre për me i blerë votat këto janë gjëra të jashtëligjshme për të cilat edhe duhet me u përgjigjur para Gjykatës Kushtetuese, pra duhet njerëzit me shku në burg nëse i kanë keqpërdorur paratë publike”, u shpreh Rama.
Ai tha se shoqëria duhet t’i shtyjë përpara këto çështje, në mënyrë që vendimet e Gjykatës Kushtetuese të jenë të plotfuqishme dhe të respektohen nga secili qytetar.
“Këto janë gjëra të cilat ne të gjithë si shoqëri pra duhet t’i shtyjmë përpara, pra që vendimet e Gjykatës Kushtetuese të jenë të plotfuqishme dhe secili qytetar t’i respektojë ato, përndryshe e rrezikojmë shtetin”, tha ai.
Rama tha se kjo është arsyeja pse e ka nënshkruar peticionin dhe nismën.
“Kjo është edhe arsyeja pse unë jam sot këtu, e nënshkrova këtë peticion, këtë nismë. Dhe i përgëzoj të gjithë qytetarët e Kryeqytetit dhe të gjithë Kosovës të cilët janë bërë pjesë e kësaj nisme”, tha Rama.
Ai u shpreh se pret që së shpejti të mblidhen më shumë se 10 mijë nënshkrime.
“Uroj që së shpejti të kemi më shumë se 10.000 apo 12.000 e më tepër, pra më shumë se 10.000 nënshkrime, ku edhe vendimet ose nënshkrimet e këtij peticioni pastaj të marrin hapat e veta dhe të bëhet pjesë e ligjit pjesë e ligjit i cili edhe mundëson vendimet që kushdo që nuk e respekton ligjin, pra përfundon aty ku edhe meriton, përfundon në burg”, përfundoi Rama.

