Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë të ditur se më 23 dhe 24 shtator do të marrë pjesë në “Origination Finance Studio North America” në New York, ku do të diskutohet për financimin e së ardhmes.
Rama ka thënë se në këtë aktivitet do të prezantojë vizionin e Prishtinës dhe potencialin e saj për zhvillim, investime dhe krijimin e mundësive për qytetarët.
“PRISHTINA PËRTEJ, ME AMBICIE, ME VIZION, ME PARTNERË GLOBALË. Më 23–24 shtator do të jem në Nju-Jork, në Origination Finance Studio North America, përkrah liderëve dhe mendimtarëve botërorë, për të diskutuar ‘Financimin e së Ardhmes’”, ka shkruar Rama.
Ai ka theksuar se synon që në këtë forum ta përfaqësojë zërin e Prishtinës si një kryeqytet me potencial dhe ambicie për ta shndërruar këtë potencial në mundësi konkrete për qytetarët.
“Do ta sjell zërin e Prishtinës: një kryeqytet i ri, plot energji e talent, me ambicie të qartë për ta kthyer potencialin në mundësi konkrete për qytetarët”, ka deklaruar Rama.
Sipas tij, diskutimet për të ardhmen duhet të lidhen drejtpërdrejt me mirëqenien e qytetarëve, përfshirë hapësirat publike, mundësitë për të rinjtë dhe investimet.
“Çdo diskutim për të ardhmen lidhet me jetën e njerëzve: hapësira publike që na bashkojnë, mundësi që i mbajnë të rinjtë këtu dhe investime që ndërtojnë mirëqenie për brezat që vijnë. Kjo është ambicia që do ta ndaj me partnerët tanë në Nju-Jork”, ka shkruar ai.
Rama ka bërë të ditur se në këtë aktivitet do të jetë përkrah personaliteteve të njohura nga fusha të ndryshme.
“I nderuar t’u bashkohem Ajay Banga, Michael Douglas, laureatëve të Çmimit Nobel, Hans Vestberg dhe personaliteteve nga biznesi, financat, shkenca, kultura e udhëheqja publike”, ka thënë Rama.
Ai ka falënderuar organizatorët dhe bashkëpunëtorët për organizimin e këtij aktiviteti.
“Faleminderit Origination, Osvald Bjelland, Minh Huy Tran dhe Jakob Kiefer për bashkimin e njerëzve, ideve dhe vullnetit për ta kthyer shpresën në veprim”, ka shkruar kryetari i Prishtinës.
Rama ka theksuar ambicien e kryeqytetit për të qenë pjesë e diskutimeve dhe partneriteteve ndërkombëtare.
“Prishtina ka çka t’i japë kësaj bisede. Dhe ka ambicie për të shkuar përtej”, ka shtuar Rama.