Rama: Nuk do të qëndrojmë tek dera e Evropës duke qarë

Prishtinë | 07 Shk 2020 | 08:33 | Nga Ekonomia Online

“Shqipëria nuk do të qëndrojë në derën e Evropës dhe të qajë që ajo të hapet”, kështu deklaroi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një intervistë për AFP, duke theksuar se vendi ynë duhet të përqendrohet në të ardhmen e vet.

Agjencia e lajmeve AFP shkruan se vendi me 2.8 milion banorë shpresonte të merrte dritën e gjelbër për të filluar bisedimet e hyrjes në BE në tetor, por Franca, Danimarka dhe Hollanda vendosën veton.

“Nuk pres asgjë, ne duhet të bëjmë gjërat që duhet të bëhen, pavarësisht nga vendimet në Bruksel”, tha ai, duke shtuar se vendi nuk mund “të vazhdojë të jetojë me këtë ankth të pritjes për diçka që nuk është në duart tona”.

“Ne nuk do të qëndrojmë te dera e Evropës dhe të qajmë”, tha 55-vjeçari, i cili kishte veshur një pallto të gjatë të zezë dhe atlete, shkruan AFP.

“Ne nuk jemi në këtë rrugë sepse francezët ose gjermanët po na kërkojnë, por sepse është rruga e vetme e arsyeshme për të ardhmen e fëmijëve tanë dhe për të ardhmen e këtij vendi”, tha ai.

Rama shtoi se vetë reformat e BE-së janë larg kontrollit të Tiranës, megjithëse “është e rëndësishme edhe për ne që Evropa të ndryshojë”./Ora News.tv/

Të ngjashme