Para simpatizantëve në qytetin e Korçës, kryeministri shqiptar Edi Rama tha se pas Reformës në Drejtësi radhën e ka administrata publike.
“Unë kam nevojë për besimin e Shqipërisë që ta shkallmoj portën e mbyllur të administratës për njerëzit e ndershëm të këtij vendi. Ne kemi nevojë që shqiptarët të investojnë dëshirën e tyre të madhe që të jenë të shërbyer në dyert e administratës dhe në revoltën e tyre në gjithë këto vite. Ku u është dashur t’i nënshtrohen diktaturës së ryshfetit, apo logjikës së partisë së pushtetit”, u shpreh Rama.
Por kryeministri Rama u bëri një thirrje edhe simpatizantëve të Partisë Demokratike. Ai u kërkoi votën për Partinë Socialiste që sipas tij është e vetmja forcë që mund të sjellë ndryshimin si dhe ironizoi të gjithë kundërshtarët politikë.
“Unë u bëj thirrje të gjithëve atyre që kanë bindje të ndryshe nga tonat se 25 qershori nuk është për t’u ndarë për ato bindje, por është për t’u bashkuar në një bindje të vetme që ky vend mund të bëhet se këtë vend nuk ka kush ta bëjë tjetër. Kush do e bëjë Shqipërinë, Luli, Petriti, apo Beni”, u shpreh Rama, raporton TCh