Rama për lehtësimin e masave: Nuk do biem në kurthin e euforisë

Prishtinë | 28 Maj 2021 | 20:42 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka reaguar në lidhje me vendimin e Komitetit Teknik të Ekspertëve, i cili njoftoi se nga 1 qershori do bëhet lehtësimi i disa prej masave kufizuese anti-Covid.

Ai shkruan në faqen zyrtare në “Twitter” se lehtësimi i masave po bëhet në mënyrë të kontrolluar, ndërsa u shpreh kritik për ata që kundërshtojnë orën policore.

Sipas kryeministrit të vendit, masat kufizuese të ndërmarra kanë bërë të mundur që Shqipëria të renditet në krye të klasifikimit në Europë sa i takon uljes së infektimeve dhe humbjeve të jetës.

Ai tha se Komiteti Teknik ka plan të qartë për menaxhimin e epidemisë së Covid-19 dhe nuk do të bien në “kurthin e euforisë” duke bërë hapje të pakontrolluar.

“Kush bën krahasime me vendet e tjera për orën policore antiCovid, të mos harrojë se prej disa kohësh tanimë jemi në krye të klasifikimit në Europë për ultësinë e nivelit të infektimeve e të humbjeve të jetës! Dmth e dimë mirë atë që bëjmë dhe nuk do të biem në kurthin e euforisë”, shkruan Rama.

Masat që priten të lehtësohen nga 1 qershori:

Hiqet detyrimi për mbajtjen e barrierës mbrojtëse në ambientet e jashtme. Do vijoje të mbetet detyrimi i mbajtjes së maskës në ambientet e mbyllura si dhe në mjetet e transportit publik.

Ora policore shtyhet në orën 23:00 -06:00.

Klubet e natës, diskot, vijojnë të mbeten të mbyllura. Muzika do lejohet deri në orën 22:00.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme