Kryeministri shqiptar, Edi Rama, ka thënë se është e pagëlltitshme kur i sheh ata që e udhëhoqën luftën çlirimtare të një populli të shtypur egërsisht, të akuzohen si kriminelë lufte nga një organ i krijuar mbi bazën e fantazive të shthurura me trafik organesh.
“Megjithatë UÇK nuk do të mundet nga padrejtësia”, ka shkruar Rama, në faqen e tij në Facebook, ku ka postuar një fotografi të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, me një citat nga fjala e tij sot në Dhomat e Specializuara në Hagë.
“Prapëseprapë është aq e pagëlltitshme një çorbë kaq e shpifur, kur i sheh ata që e udhëhoqën luftën çlirimtare të një populli të shtypur egërsisht, të akuzohen si kriminelë lufte nga një organ i krijuar mbi bazën e fantazive të shthurura me trafik organesh”, ka shkruar Rama, i njohur për miqësinë e tij të ngushtë me Thaçin.