Nisma e presidentit për themelimin e ushtrisë përmes ndryshimeve ligjore ishte e qëlluar dhe e domosdoshme, por mungoi hapi i dytë për krijimin e një ekipe gjithëpërfshirëse e cila do të promovonte tek ndërkombëtarët dhe deputetët serbë idenë për themelimin e ushtrisë pa ndryshime kushtetuese.
Kështu ka thënë për Ekonomia Online njohësi i çështjeve të sigurisë, Burim Ramadani, i cili vlerëson se nisma e presidentit për transformimin e FKS-së me ligj, ka krijuar një momentum të ri për domosdoshmërinë e bërjes së ushtrisë.
“Hapi parë ka qenë i mirë i cili ka ndërtuar një momentum të ri për domosdoshmërinë e themelimit të ushtrisë së Kosovës, por se nuk është përcjell fatkeqësisht me hapin e dytë. Është dashur të ndërtohet një ekip gjithëpërfshirës, një qasje gjithëpërfshirëse e cila do të promovonte idenë për themelimin e ushtrisë tek partnerët ndërkombëtarë në rend të parë, por po ashtu edhe tek komuniteti serb në Kosovë.
Ai ka thënë se tashmë qëndrimet e partnerëve ndërkombëtarë janë të qarta se ushtria nuk mund të bëhet pa ndryshime kushtetuese, andaj kërkon nga institucionet e Kosovës që të bashkëpunojnë ngushtë në mënyrë që të bindin serbët për votimin e ushtrisë.
“Është jashtëzakonisht e qartë se qëndrimet e partnerëve ndërkombëtarë janë të drejtuara kah vizioni që ushtria të themelohet në bazë të ndryshimeve kushtetuese dhe pikërisht në këtë temë besoj se institucionet e Kosovës do të duhej të bashkërendonin një ekip gjithëpërfshirës për të lobuar tek partnerët ndërkombëtarë që të na ndihmojnë në bindjen e deputetëve serbë që të votojnë ndryshimet kushtetuese”, ka thënë ai.
Ish-deputeti Ramadani vlerëson se Kosova nuk mund të qëndrojë edhe më tutje pa ushtri, ngase e sheh si domosdoshmëri të kohës dhe rrethanave qoftë rajonale, qoftë globale.
Por shpreh bindjen se kjo nuk mund të ndodhë pa ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë, në rend të parë të ShBA-së dhe NATO-s.
I pyetur se nëse nisma e presidentit për themelimin e ushtrisë me ligj i ka zbehur marrëdhëniet me ndërkombëtarët, Ramadani ka thënë se një gjë e tillë nuk ka mundur të ndodhë pasi që iniciativa tashmë është pezulluar dhe nuk ka shkuar deri në fund.
“Nuk besoj që iniciativa ka zbehur ose ka mundur t’i zbeh marrëdhëniet midis Kosovës dhe partnerëve strategjikë për shkak se iniciativa nuk është quar deri në fund. Nuk ka vendim që të prishen marrëdhëniet, por kjo çështje është aspekt i partneritetit të përbashkët”, shprehet ai.
Presidenti Thaçi ishte zotuar se nëse nuk votohet nisma e tij do të jep dorëheqje, por këtë gjë nuk e beson Ramadani.
“Dorëheqja në Kosovë fatkeqësisht është vetëm një term i cili është totalisht i panjohur për institucionet e Kosovës, kështu që as nuk e kam besuar në fillim dhe as nuk e besoj tash”, përfundon ai.