Grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës në Asamblenë Komunale të Drenasit, brenda tri ditëve, iu bashkuan tri asamblistë nga opozita, duke u bërë pjesë e PDK-së, konfirmon kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci.
I pari në këtë aderim në Grupin Parlamentar të PDK-së, ishte ish kryesuesi i Grupit parlamentar të Nismës në Drenas, Nexhmedin Balaj, pastaj arkitekti Endrit Gllareva nga “Vizioni për Drenasin”, si dhe Petrit Sinani, nga AKR.
Me rastin e aderimit në Grupin Parlamentar të PDK-së, të asamblistit Petrit Sinani, kryetari Ramiz Lladrovci, në rrjetin social ka shkruar:
Petrit Sinani, mirë se vjen në PDK!
Sot, edhe një lajm i mirë për qytetarët e Drenasit dhe unitetin në Asamblenë tonë komunale. Grupi Parlamentar i PDK-së, po fuqizohet edhe me një asamblistë nga opozita.
Asamblisti Petrit Sinani, i bashkohet PDK-së. Mirë se vjen Petrit!
Ky fuqizim i Grupit Parlamentar të PDK-së në Asamble, është fuqizim i vendimeve tona, për vendimmarrjen në dobi të qytetarëve tanë pa dallim.
Komuna e Drenasit, ka shumë punë për të bërë. Unë, së bashku me Grupin Parlamentar të PDK-së, por edhe me përkrahjen e gjithanshme të qytetarëve dhe opozitës, do të jemi në shërbim të nevojave të qytetarëve tanë, pa dallim.
Nëse dje, kemi qenë në vijat e para për çlirim dhe sakrificë për liri, sot, duhet të jemi unik për ta zhvilluar komunën dhe ta bëjmë të dinjitetshme për të jetuar në të. Së bashku, ne mund ta bëjmë Drenasin më të mirë. Qytetarët e komunës tonë, e meritojnë këtë.
Ne nuk do të ndalemi që me ligj të bëjmë më të mirën për të gjithë qytetarët e komunës tonë!