Raporti i KE-së, Dimitrov: Shpresoj të kemi rekomandim të pastër

Prishtinë | 17 Pri 2018 | 09:24 | Nga

Shpresoj se do të kemi rekomandim të pastër për fillim të bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian, porositi sot shefi i diplomacisë së Maqedonisë, Nikolla Dimitrov, në fjalimin e tij para pjesëmarrësve të konferencës rajonale me rastin e 10 vjetorit të Fondit evropian për Ballkanin që po mbahet sot dhe nesër në Beograd.

Ai theksoi e mezi pret që të lexojë raportin e Komisionit Evropian, i cili duhet të publikohet nesër. “Në raportin e fundit të Fridom Haus për kombet në tranzicion u theksoi se Maqedonia është vend, tek i cili është vërejtur depërtim më i madh demokratik në Evropë. U tha se vendi është i vogël, por mundësitë janë të mëdha, që e rrit dyfish nivelin tim të adrenalinës dhe entuziazmit”, tha Dimitrov.

Theksoi se integrimi në BE duhet të shihet në mënyrë rajonale dhe se vendet duhet të jenë koshiente për ndërlidhjen e tyre të ndërsjellë.

“Është e pamundur që Maqedonia të jetë vend i lumtur, demokraci e suksesshme dhe stabile, nëse edhe Serbia nuk është një vend i tillë. Është e pamundur të kemi rajon në të cilat herë pas here dyshohen në të ardhmen dhe funksionalitetin e BeH-së. Të gjithë bashkë jemi në këtë dhe sa më shpejt që e kuptojmë këtë, do ta kemi më të lehtë t’i zgjidhim problemet dhe t’u themi miqve evropianë se jemi partnerë të tyre”, porositi Dimitrov.

Shtoi se vendet e rajonit shpesh herë kanë dashur të jenë viktima dhe t’i akuzojnë të tjerët për çështjet tjera. “Fajtorë janë edhe fqinjët, Brukseli, askush nuk na do. Gjithçka është në duart tona, askush nuk tha se ndërtimi i demokracisë evropiane është i lehtë”, theksoi Dimitrov dhe shtoi se rajoni duhet ta kapë trenin që qarkullon në drejtim të eurontegrimeve, njofton Koha.mk.

Gjatë ngjarjes është parashikuar që Dimitrov të realizojë takime dypalëshe edhe me pjesëmarrës me renome në konferencë. Misioni kryesor i Fondit evropian për Ballkanin është që ta promovojë integrimin e BE-së ndaj vendeve të rajonit dhe transformimi i tyre në demokraci prosperuese dhe stabile e evropiane.

Të ngjashme