Deputeti i Listës Srpska në Kuvendin e Kosovës Nenad Rashiq thotë se pasi PDK e LDK nuk e respektuan marrëveshjen, zgjidhja më e mirë do të kishte qenë sikur kjo listë të niste rrëzimin e Qeverisë. Ai mendon se kjo do t’ua ruante fytyrën serbëve.
“Kjo ndoshta ka qenë disfata jonë më e madhe, për shkak se nuk patëm sukses që këtë politikë ta manifestojmë për implementim në terren. Ne tani po merremi me politikë utopike, sepse asgjë të mirë nuk po prodhojmë për qytetarët, dhe edhe nëse e bëjmë, ajo është pak dhe sjell jo vetëm shqetësim por edhe një pakënaqësi të madhe”, citon radiokim të ketë thënë Nenad Rashiq.
Më 7 prill skadojnë mandatet e një numri të deputetëve serbë. Nëse deri më atëherë nuk kthehen në Kuvend, do të mbeten pa mandat. Duke komentuar hapin e disa deputetëve serbë të cilët në Kuvend shkuan për t’u regjistruar, Rashiq ka thënë se ai veprim është akt shpëtimi dhe se këtë gjë është i detyruar ta bëjë edhe vetë.
Në pyetjen nëse ka mënyrë për kthim dinjitoz të serbëve në institucionet e Kosovës, Rashiq thotë se nuk ka:
„Nuk ka kthim dinjitoz. Minimumi që ne duhet të fitojmë është iniciativa për formimin e statutit ose të Ekipit drejtues të AKS-së. Ky është minimumi. Nëse edhe më tej heshtet për formimin e Asociacionit të Komunave serbe, nuk ka kurrfarë shansi që të kthehemi në institucione, sepse nuk kemi ç’të themi”.
Duke folur për vendimin e Qeverisë së Kosovës për të nacionalizuar pasuritë e Kosovës në ish – Jugosllavi, Rashiq është i bindur se kjo nuk mund të ndodhë pa pëlqimin e Beogradit.
„Suksesioni është dokument juridik që konfirmohet ndërmjet palëve e që duhet të jenë të përfshira në procesin e ndarjes së pasurisë. Që do të thotë se pa pajtim të Beogradit në këtë rast marrëveshje nuk mund të ketë. Dhe do të dëshiroja që kolegët nga Prishtina të kuptojnë se në këtë rast nuk kanë bazë juridike.”
Në fund Rashiq ka shfaqur pakënaqësinë e vet lidhur me mos informimin e serbëve për bisedat në Bruksel dhe njëkohësish ka kërkuar që në këtë dialog duhet të marrin pjesë edhe serbë profesionistë nga Kosova.