Kryetarja e Komisionit për Legjislacion, Albulena Haxhiu, ka kërkuar që ministrja Dhurata Hoxha dhe prokurori i prokurorisë së Prizrenit, Sylë Hoxha, të raportojnë para këtij komisioni.
Kjo thirrje vjen pas raportit të autopsisë së Astrit Deharit, aktivistit të VV-që gjeti vdekje në qendrën e paraburgimit në Prizren.
Raportim të ministres Hoxha dhe kryeprokurorit të prokurorisë së Prizrenit ka kërkuar edhe deputeti i AAK-së, Pal Lekaj.
“Ky proces nuk duhet të politizohet, por që nevoja për raportim e Sylës dhe Dhuratës është e nevojshme. Raportimi i tyre në Komision do të mund të zbuste sadopak dyshimin i cili është ngritur”, deklaroi Lekaj, raporton Ekonomia Online.
Kurse Selvie Halimi nga radhët e PDK-së tha që humbja e një njeriu në qendër të paraburgimit është e pajustifikueshme. Ajo gjithashtu tha se edhe pse ka përfunduar një ekspertizë kjo nuk do të thotë që rasti është mbyllur.
“Ne të gjithë duhet të ndiem përgjegjësi morale dhe pasi që është zgjeruar pista e hetimeve, kërkoj të ketë edhe ndiekej penale. Ne duhet të kërkojmë këtë që organet e drejtësisë të bëjnë këtë gjë. Ne si komision nuk kemi kompetenca që të thërrasim kryeprokurorin Hoxha por kemi kompetencë që të thërrasim Ministren e Drejtësisë”, tha Halimi.
Në këtë komision nuk është marrë vendim për raportimin e Ministres Hoxha dhe kryeprokurorit të Prizrenit pasi që anëtarët e këtij komisioni lëshuan mbledhjen.