Kompania për distribuim dhe shpërndarje të energjisë elektrike (KEDS) sqaron ka kundërshtuar në gjykatë vendimin e Inspektoratit të Punës, që ka vendosur në favor të ankesës së Federatës së Sindikatave të Pavarura “Elektrokosova” dhe nuk ka ende një vendim përfundimtar për këtë çështje.
KEDS-i e konsideron vendimin e Inspektoratit të Punës, kapërcim të kompetencave që i njeh Ligji.
“Federata e Sindikatave të Pavarura “Elektrokosova” po kërkon nëpërmjet përmbaruesit dhe gjykatës (Aktvendimi C. P. nr. 3086/16 të datës 16 shkurt 2017, publikuar në media) që të ekzekutojë vendimin e Inspektoratit të Punës. KEDS-i po e kundërshton në gjykatë edhe kërkesën për ekzekutim. Ne jemi të gatshëm që ta ndjekim procesin deri në Gjykatën Kushtetuese nëse kjo do të jetë e nevojshme për të mbrojtur të drejtat tona të ligjshme”, thuhet në njoftimin e KEDS-it.
“Ne besojmë se KEDS-i ka vepruar në përputhje të plotë me kërkesat e ligjeve të zbatueshme në Republikën e Kosovës kur ka mbyllur departamentin dhe pozicionet e tepërta të punës, që sollën ndërprerjen dhe mos-ripërtëritjen e kontratave të një numri punonjësish”.
“Ky nuk ishte aspak vendim i lehtë për KEDS-in, por kjo ishte e domosdoshme dhe ne bëmë sa ishte e mundur për të zbutur pasojat, dhe në të njëjtën kohë jemi të bindur se nuk shkelëm asnjë nga të drejtat e punonjësve. E ritheksojmë edhe një herë, se rasti i ankesës së punëtorëve është duke u shqyrtuar nga gjykata kompetente, dhe ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve që mos të bëjnë deklarata të pabazuara që mund ta lajthisin opinionin”, thuhet në njoftim.
KEDS beson në sistemin e drejtësisë dhe do të vazhdojë të mos komentojë rreth këtij rasti, duke respektuar dhe mos-interferuar në sistemin e drejtësisë.