Reagon KMDLNJ: Serbët e Kosovës të diskriminuar dhe të pambrojtur në zgjedhjet e 6 tetorit!

Prishtinë | 30 Sht 2019 | 14:20 | Nga Ekonomia Online

Kanë mbetur edhe pesë ditë deri në fund të fushatës zgjedhore e cila pati filluar para disa muajve ndonëse KQZ ka caktuar datën zyrtare të fushatës nga 25 shtatori deri me 5 tetor, transmeton Ekonomia Online.

Nëse e kemi parasysh shkallën e zhvillimit të demokracisë në Kosovë dhe rrethanat tjera që dallojnë nga shtetet dhe vendet me një demokraci të zhvilluar dhe të konsoliduar , atëherë KMDLNj e vlerëson fushatën si të qetë , pa incidente të mëdha që mund ta dëmtojnë fushatën dhe , përveç fjalorit përjashtues , dhe në shumë pak raste edhe fyes , fushata ka qenë në kuadër të së lejuares dhe jokonfliktuoze.

Realisht , gjatë kësaj fushate kemi përsëritje të premtimeve sikur edhe në fushatat paraprake që janë të përgjithësuara prandaj nuk kanë karakter detyrues. Këto premtime që bëhen gjatë fushatës nuk kanë mbështetje as në kapacitetet financiare të Buxhetit të Kosovës e as në mundësitë e zbatimit nga disa parti minore prandaj edhe nuk merren seriozisht .

Përdorimi apo më saktë të thuhet keqpërdorimi i veturave zyrtare tashmë është shndërruar në rutinë dhe po bëhet pjesë thuaja e legalizuar e fushatës sikur që po përsëritet edhe pjesëmarrja e nxënësve gjatë tubimeve elektorale të liderëve apo subjekteve politike e që do të duhej të sanksionohej me ligj.

Dëmtimi i posterëve dhe sloganeve është më pak i theksuar se në zgjedhjet paraprake sikur edhe vendosja e tyre në lokacionet e ndaluara. Për KMDLNj –në është shqetësues përpjekja për shitblerje të votave apo votimeve të kundërligjshme sikur që është regjistruar në disa medie elektronike dhe të shkruara pas së cilave policia dhe prokuroria kanë filluar hetimet . Për KMDLNj –në është inkurajues fakti se në mbrojtje të votës së lirë dhe të drejtës për të votuar sipas vullnetit dhe përcaktimit e që përbëjnë themelet e një procesi zgjedhor demokratik , janë angazhuar 100 prokurorë sikur edhe një numër i madh i policëve që e mbështetin këtë angazhim.

Mospërfillja e përpilimit të listave duke respektuar përfaqësimin në baza gjinore në përputhje me ligjin , KMDLNj e konsideronb si shkelje e të drejtave të njeriut dhe kufizim të mundësive të barabarta dhe jodiskriminuese e që është përgjegjësi e liderëve të subjekteve politike përkatësisht të liderëve të tyre e që lirisht mund të përkthehet si mungesë e vullnetit politik për ta eliminuar këtë diskriminim.

KMDLNj , deri më tani ka reaguar kundër diskriminimit , kërcënimit dhe shantazhimit që po u bëhet liderëve serbë të Kosovës të koalicionit “ Sloboda “ që udhëhiqet nga z. Nenad Rashiq , kandidat i këtij koalicioni për kryeministër të Kosovës. Kohë më parë , z. Rashiq dhe z. Slobodan Petroviq kanë deklaruar se e kanë jetën e rrezikuar për faktin se nuk duan të bëhen pjesë e Listës Serbe , marionetë e Beogradit e që nuk përfaqëson interesat e serbëve të Kosovës. Ata kanë deklaruar se nuk kanë mundësi të takohen me votuesit potencialë , nuk mund të lëvizin lirshëm për të bërë fushatë , jo vetëm në veri të Kosovës por as në vendet në Kosovë ku jetojnë serbët lokalë. Serbët e Kosovës , jashtë Listës Serbe , politikanë qofshin ata apo edhe votues i janë nënshtruar një linçimi publik nga mediet e Serbisë dhe autoritetet serbe duke filluar nga Aleksandar Vuçiq , nga Kisha Ortodokse dhe nga serbët që janë nën urdhërat e Goran Rakiqitm dhe Listës Serbe. Atyre u kërcënohet familja , i ndalin dhe i arrestojnë në kufi me

Serbinë , largohen në mënyrë arbitrare nga puna sikur që shpallen si tradhëtarë të popullit serb. KMDLNj ka reaguar publikisht ndaj këtyre kërcënimeve , sidomos për jetët e zz. Nenad Rashiq dhe Sllobodan Petroviq që thërrasin për respektimin e institucioneve të Kosovës dhe integrim në të gjitha strukturat e Kosovës , duke kërkuar hetim nga Prokuroria e Shtetit dhe , sipas informatave të KMDLNj hetimet janë duke u bërë.

KMDLNj e informon opinionin se votuesve serbë të Kosovës e që nuk duan të votojnë për Listen Serbe po u shkilen në mënyrë flagrante të drejtat për të votuar sipas vullnetit dhe pa iu nënshtruar presionit , si njërën nga të drejtat elementare të njeriut dhe për këtë nuk ka treagim të duhur , as të institucioneve të vendit e as të atyre ndërkombëtare . KMDLNj është i shqetësuar për kërcënimet e vazhdueshme që u bëhen liderëve serbë të Kosovës dhe familjeve të tyre të cilëve u pamundësohet ta bëjnë një fushatë sikur që e bëjnë liderët shqiptarë të Kosovës dhe liderët e komuniteteve joserbe.

KMDLNj është i brengosur që liderët shqiptarë dhe ata joserbë e që i gëzojnë të gjitha të drejtat e të bërit fushatë , duke u sjellur në mënyrë krejtësisht oportuniste , mbase për shkak të interesit politikë ( koalicion me LS ) nuk e ngrejnë zërin kundër kësaj padrejtësie që iu bëhet liderëve serbë të Kosovës dhe votuesve potencialë. Edhe reagimi i bashkësisë mdërkombëtare , me këtë rast është në shpërputhje të madhe me seriozitetin e situatës. Prandaj , KMDLNj mendon se rezultatet e zgjedhjeve të 6 tetorit 2019 për serbët lokalë janë të imponuara dhe të mbështetura në diskriminim , kërcënim dhe shantazh prandaj , si të tilla lehtësisht do të kontestohen.

KMDLNj thërret subjektet politike dhe koalicionet garuese ta përmbyllin në mënyrë të qetë fushatën , të votojnë në bazë të vullnetit dhe të pranojnë rezultatet e zgjedhjeve pavarësisht se kush do të jetë fitues.Le të bëhet si kulturë demokratike që fituesit të zgjedhjeve t’iu urohet fitorja duke i ofruar bashkëpunim në të gjitha rastet kur janë në interes të qytetarit dhe shtetit .

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme