Reagon MIE, thotë se kjo ministri nuk bën ridestinimin e mjeteve të BE-së

Prishtinë | 11 Kor 2019 | 19:20 | Nga Ekonomia Online

Ministria e Integrimit Evropian e cila udhëhiqet nga Dhurata Hoxha, ka reaguar ndaj shkrimit të Kryetarit të Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti, duke thënë se, MIE nuk është institucioni që bën ridestinimin e mjeteve të BE-së, për ndërtimin e sallës së koncerteve shkruan EkonomiaOnline.

Në këtë shkresë tutje thuhet se, kjo ministri ka punuar intensivisht me Komunën e Prishtinës, Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe Zyrën e BE-së në Prishtinë për të gjetur lokacionin e nevojshëm për ndërtimin e kësaj salle por që kryetari i Prishtinës Ahmeti asnjëher nuk ka kthyer përgjigje.

Shkrimi i plotë

Dëshirojmë të informojmë opinionin publik që Ministria e Integrimit Evropian (MIE) nuk është institucioni që bën ridestinimin e mjeteve të BE, prandaj nuk është fare e vërtetë që MIE ka kërkuar nga BE ridestinimim e mjeteve financiare të parapara për ndërtimin e sallës së koncerteve. Sa për informacion, Menaxhimi i fondeve të BE-së në Kosovë është i formës së centralizuar, pra është BE ajo që vendos për fonde të saj e jo Kosova.

Prandaj, ne kemi punuar intensivisht me Komunën e Prishtinës, Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe Zyrën e BE-së në Prishtinë për të gjetur lokacionin e nevojshëm për ndërtimin e sallës. Përpos takimeve që kemi pasur, më 2 maj 2019 Ministria e Integrimit Evropian i ka dërguar shkresë Kryetarit Ahmeti duke i kërkuar të na informojë për gjendjen mbi lokacionin e sallës së koncerteve. Kurse Kryetari Ahmeti, nuk është përgjigjur asnjëherë në kërkesën tonë, ndërkohë që tash paraqitet si i brengosur.

Meqë lokacioni i propozuar nga Komuna e Prishtinës nuk i kishte të zgjidhura të gjitha çështjet pronësore juridike, Zyra e BE-së na ka njoftuar që mjetet financiare që ishin të parapara për ndërtimin e sallës së koncerteve në kuadër të pakos IPA 2019, do të ridestinohen për Dekomisionimin e Kosovës A, projekt ky po ashtu në kuadër të IPA 2019 dhe i cili sipas vlerësimeve paraprake të Zyrës së BE-së po del të jetë më i shtrenjtë se sa ishte paraparë.

Ndërkohë që, sipas Zyrës së BE-së, kur të gjendet lokacioni tjetër për sallën e koncerteve, atëherë BE do të ndajë mjetet e nevojshme financiare në kuadër të fondeve në ardhje IPA III 2021-2027. Pra, edhe pse Zyra e BE-së ka bërë ridestinimin e mjeteve financiare, ajo çfarë është e rëndësishme këtu është fakti që mjetet nuk janë humbur, por gjithashtu MIE nuk ka shkruar letër për ridestinim, por ka qene BE-ja që ka vendosur dhe na ka njoftuar lidhur me këtë vendim. Kryetari Ahmeti mos angazhimin e vet për të gjetur një lokacion tjetër për ndërtimin e sallës nuk mund ta mbuloj me shfajësim dhe hedhje të fajit aty ky nuk është!

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme