Sonte në “Alfredo Di Stefano” do të zhvillohet ndeshja e parë gjysmëfinale e Ligës së Kampionëve
Real Madridi dhe Chelsea do ta zhvillojnë sonte betejën e parë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.
“Los Blancos” e eliminuan në çerekfinale Liverpoolin, kurse “Blues” ishin më të mirë se Porto.
E tash, ekipi spanjoll dhe ai anglez do të ballafaqohen në mes vete në stadiumin “Alfredo Di Stefano”.
Të dyja skuadrat do të tentojnë të sigurojnë rezultat të favorshëm në duelin e parë.
Kjo do t’ju siguronte atyre avantazh për ndeshjen e kthimit, e cila do të luhet në Londër më 5 maj.
Chelsea është kualifikuar në gjysmëfinale për herë të parë që nga viti 2014.
“Blues” e kanë fituar një herë Championsin dhe tash e synojnë trofeun e dytë.
Kurse, Reali e kërkon trofeun e 14-të të Ligës së Kampionëve.
Kjo njëherësh do të jetë hera e 14-të që Reali luan në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, kurse për Chelsean hera e tetë.
Reali vjen nga një formë e zbehtë së fundmi në La Liga, kurse Chelsea nga fitorja e rëndësishme me West Hamin.
“Mbretërit” nuk do të mund të llogarisin në lojtarët si Sergio Ramos, Federico Valverde, Lucas Vazquez dhe Ferland Mendy.
Kurse, Chelsea nuk e ka ndonjë mungesë të theksuar. Për Eden Hazardin, kjo do të jetë një ndeshje e veçantë pasi do të përballet me ish-skuadrën e tij.