Reçica: Ekipet mjekësore të jenë profesionale gjatë trajtimit të invalidëve të luftës

Prishtinë | 17 Maj 2018 | 12:44 | Nga Donika Osmani Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Time Kadrijaj nga AAK pyeti ministrin Reçica se a po mbikëqyret Komisioni Qeveritar Ndërministror për përcaktimin e shkallës së invalidetit për trajtimin që po ua bën invalidëve të luftës.

Sipas saj, ky komision ka një sjellje të papërgjegjshme ndaj invalidëve të luftës, raporton Ekonomia Online.

“Komisioni Qeveritar Ndërministror për përcaktimin e shkallës së invaliditetit ka një sjellje tepër të papërgjegjshme për invalidët e luftës. Unë si mjeke e luftës kam marrë shumë shqetësime nga bashkëluftëtarët të cilët vetë i kam trajtuar në luftë për atë që përjetojnë në këtë komision, para se të ndodh një skandal merrni masa, a po e mbikëqyrni këtë komision për trajtimin që po i bën invalidëve të luftës”.

Ministri Reçica iu përgjigj deputetes Kadrijaj duke thënë se i ka marrë të gjitha masat që ky komision të funksionalizohet, raporton EO.

“Ky komision tashmë është funksional dhe në zbatim të ligjit për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarë të UÇK-së, viktimave civile dhe në bazë të udhëzimit administrativ për vlerësimin e shkallës së invaliditetit të invalidit të luftës së ushtarit të UÇK-së”.

“Për të qenë sa më i rregullt dhe transparent ky proces, MPMS, MSh-ja dhe ShSKUK- ja kanë nënshkruar një memorandum bashkëpunimi për krijimin e komisioneve mjekësore me 3 specialistë të fushave të specializuara mjekësore nga lëmi i ortopedisë, kirurgjisë dhe psikiatrisë, ashtu siç është përcaktuar në udhëzimin administrativ”.

Reçica i tha deputetes Kadrijaj se ka kërkuar që ekipet mjekësore të jenë profesionale dhe ta zbatojnë ligjin, raporton EO.

“Kam takuar ekipet mjekësore dhe kam biseduar lidhur me pretendimet e ngritura për sjellje jokorrekte apo të papërgjegjshme ashtu siç i keni ngritur ju në pyetjen parlamentare dhe kam kërkuar që këto ekipe të jenë profesionale, të zbatojnë ligjin dhe etikën mjekësore”.

 

Të ngjashme