Reforma zgjedhore duhet të jetë prioritet i institucioneve

Prishtinë | 26 Tet 2018 | 15:18 | Nga Ekonomia Online

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), mbajti sot konferencën rajonale “Sfidat dhe praktikat rajonale në reformimin e sistemit zgjedhor”, e cila mblodhi përfaqësues të institucioneve, shoqërisë civile dhe mediave nga vendi dhe rajoni për të ndarë përvojat lidhur me këtë temë.

Në hapje të kësaj konference drejtori ekzekutiv i KDI-së  Ismet Kryeziu, ka theksuar se përmes implementimit të projektit që ka të bëjë me zgjedhjet është arritur që të vendoset në diskursin publik çështjen e reformës zgjedhore.

“Kosova është shteti që më së shpeshti organizon zgjedhje por më së paku ka përkushtim për reformë zgjedhore. KDI së bashku me organizatat e shoqërisë civile kemi arritur të ndërtojmë qëndrime të përbashkëta lidhur me disa segmente të rëndësishme të reformës zgjedhore dhe janë zhvilluar takime me subjektet politike për të parë nga afër preferencat e tyre për reformë. Janë bërë matje të opinionit publik rreth nevojave dhe specifikave që duhet të përfshijë reforma zgjedhore. Njëkohësisht janë analizuar në detaje shkaktarët e numrit të madh të votave të pavlefshme. Po ashtu kemi tentuar të sjellim një model të përshtatshëm të fletëvotimit që do të kontribuonte në uljen e numrit të votave të pavlefshme”, ka thënë ai.

Kurse në fjalën e tij hyrëse Jan Braathu, ambasador i misionit të OSBE-së në Kosovë ka theksuar se është në interes të të gjithëve që sistemi zgjedhor të jetë i lirë dhe i drejtë.

“Ka të bëjë me legjitimitetin e institucionit dhe përfaqësimin më të denjë. Integriteti është çelësi për legjitimitetin e të gjithë procesit zgjedhor. Është përgjegjësi e qeverisë dhe parlamentit për të siguruar që procesi zgjedhor të jetë  jo vetëm i drejtë por të ketë edhe integritet”, ka thënë Braathu.

Valdete Daka, kryetare e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në fjalën e saj ka potecuar se reforma zgjedhore që ka filluar para disa vitesh duhet të ndodhë dhe se nuk duhet të presim më shumë vite që ta përfundojmë atë.

“Ne duhet t’i kushtojmë vëmendje çdo sfide dhe mënyra më e mirë është përmes reformës zgjedhore. Reforma zgjedhore duhet të jetë prioritet i institucioneve të shtetit tonë. Shpresojmë këtë ta dëgjojnë edhe ata që janë përgjegjës për reformën zgjedhore.  KQZ është e gatshme që të jap kontributin e saj profesional në aspektin teknik zgjedhor”, ka thënë ajo.

Ndërkaq prezantimin e të gjeturave të raportit përmbledhës mbi reformën zgjedhore dhe votat e pavlefshme të KDI-së e ka prezantuar Eugen Cakolli, hulumtues i lartë në KDI.

Ai ka theksuar se procesi i reformës zgjedhore nuk është përfunduar prej më shumë se shtatë vitesh, si rezultat i mungesës së vullnetit politik të subjekteve politike.  Sipas tij kjo çështje, si dhe problemi i numrit të madh të fletëvotimeve të pavlefshme do të duhej të trajtoheshin me prioritet nga institucionet përgjegjëse.

“Kosova renditet në vendin e pestë në Evropë, për nga përqindja më e lartë e fletëvotimeve të pavlefshme në zgjedhjet e fundit parlamentare. Në kuadër të këtij hulumtimi, KDI ka marrë perceptimet qytetare mbi elementet e sistemit zgjedhor. Sipas të dhënave, i vetmi ndryshim që duhet të bëhet sipas qytetarëve, është mënyra e zgjedhjes së Presidentit, që sipas 88.3% të tyre, duhet të zgjedhjet drejtpërdrejtë nga qytetarët. Kurse, sa i përket dizajnit të ri të fletëvotimit, i cili është testuar nga KDI, është evidentuar një rënie e fletëvotimeve të pavlefshme nga 5.5% sa ishte në zgjedhjet e fundit parlamentare, në 3.7% me dizajnin e ri të fletëvotimit”, ka thënë ai ndër të tjera.

Në panelin e parë diskutues të kësaj konference i moderuar nga Shpend Emini, drejtor ekzekutiv i D4D, u diskutua për pastrimin e listave zgjedhore, identifikimin biometrik të votuesve dhe efektet e sistemit shumë-zonal.

Me këtë rast Bledar Skenderi, anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Shqipëri, ka theksuar se momentalisht, Shqipëria është e ndarë në 12 zona zgjedhore, këto qarqe ka thënë se nuk kanë numër të njëjtë të popullsisë dhe ka shtruar dilemën se a është  ky sistemi më i mirë zgjedhore?

“Ky sistem ka dy defekte të mëdha,  së pari listat janë të mbyllura dhe nuk ka sistem konkurrimi të brendshëm. Ndërsa problemi i dytë është me qarqet e mëdha. Ju në Kosovë e keni sistemin pak më të ndërlikuar, gjithsesi çdo vend ka sfidat e veta”, ka thënë ai.

Kurse Darko Aleksov, drejtor ekzekutiv i asociacionit të qytetarëve MOST në Maqedoni ka potencuar se ndarja në disa zona zgjedhore është e dobishme përderisa magnituda e zonave të jetë e barabartë, të marrin territor të mjaftueshëm dhe të marrin numrin e votave që të sigurohet që ndarja e ulëseve në Kuvend të jetë e barabartë për të gjitha zonat.

“Ndarja në disa zona zgjedhore garanton jo vetëm llogaridhënie më të madhe të të zgjedhurve ndaj qytetarëve por edhe transparencë ndaj votuesve dhe ky është aspekti pozitiv. Dhe ndoshta kjo është pikërisht arsyeja pse politikanëve nuk ju pëlqen që të ketë ndarje të zonave të kombinuara me lista të hapura zgjedhore”, ka shtuar ai.

Nikola Zeĉević, hulumtues i politikave publike në CeMI / ENEMO në Mal të Zi, ka folur lidhur me përvojën në zgjedhje në shtetin e tij.

“Ligji për zgjedhje në Mal të Zi, ka shumë kundërthënie dhe është paradoksal. Në aspektin teknik problemi kryesor ka qenë fakti se mjetet e identifikimit nuk kanë qenë biometrike por vetëm elektronike. Ka mundësi të mëdha që një person të shkojë në vendvotime të ndryshme dhe të votojë vetëm me një kartë të identifikimit elektronike. Ka pasur raste kur pajisja elektronike nuk i ka njohur kartat elektronike edhe pse personat nuk kanë votuar”, ka pohuar ai.

Ndërkaq panelisti i radhës, Enis Halimi – Kryeshef ekzekutiv i Sekretariatit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë, ka folur ndër të tjera lidhur me zonat zgjedhore.

“Sa llogaridhënës është i zgjedhuri në një sistem një zonal të tillë, është teori akademike se në çfarë perspektive shikohet. Është e pritshme të ketë përvjedhje në kuptim të llogaridhënies në sistem një zonal sepse i zgjedhuri nuk mundet të marr vota nga një pjesë e caktuar e territorit dhe të japë llogari aty. Nuk ekziston një sistem i duhur, i cili do të plotësonte universalisht nevojat që një shoqëri ka.  Ndoshta do të ishte mirë të kemi më shumë zona zgjedhore, në mënyrë që të konkretizohet llogaridhënia, në raport me qasjen e qytetarit me të zgjedhurën/in e tyre. Një sistem i tillë deri më tash ka qenë i duhur, në thonjëza, për kontestin politik e socio kulturor të shoqërisë tonë”, ka thënë ai.

Jetmir Bakija – Menaxher i programit në organizatën D+ , ka nënvizuar se nuk ka përfaqësim të mirëfilltë në Kuvendin e Kosovës pasi që nuk ka përfaqësues të secilit rajon, nga secili vend.

“Brengat pse nuk bën të jenë shumë zona zgjedhore është problemi i rajonalizimi. Por ne kemi mjaft shembuj në rajon që ndarja në shumë zona nuk ka krijuar rajonalizim. Ndarja në zona u mundëson qytetarëve që të kenë të paktën një adresë se ku të drejtohen për premtimet që u jepen nga deputetët. Me ndarjen në zona nuk humbin as vendet e rezervuara as kuota gjinore dhe i kontribuohet decentralizimi meqë partitë politike janë të koncentruara më shumë në Prishtinë”, ka shtuar Bakija.

Në panelin e dytë diskutues të kësaj konference i moderuar nga Besa Luci, kryeredaktore e Kosova 2.0 u diskutua për fushatat për informim publik dhe ndikimin e ‘lajmeve të rrejshme’ në zgjedhje.

Me këtë rast Valmir Elezi, zëdhënës i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë ka nënvizuar se KQZ-ja dhe mediat janë shumë të rëndësishme në proces zgjedhor për tu dhënë informim të drejtë qytetarëve lidhur me ecurinë e procesit zgjedhor dhe informimin mbi këtë proces.

“Pas çdo procesi zgjedhor KQZ analizon të gjithë procesin për të parë dështimet dhe mundësitë e përmirësimit në proceset e ardhshme. Ajo çka jemi mundur të përmirësojmë nga proceset zgjedhore të kaluara është se jemi munduar të rrisim prezencës sa i takon informacioneve lidhur me procesin zgjedhor. Si për shembull në zgjedhjet e fundit ne vendosëm nëpër kabina të votimit, fletë informuese se si duhet të votohet”, ka thënë ai.

Kurse panelistja Mexhide Demolli-Nimani, drejtoreshë ekzekutive e organizatës FOL ka shpjeguar se si FOL në kuadër të “Demokracisë në Veprim” ka monitoruar mediat gjatë fushatës parazgjedhore. “Bazuar në monitorimin e mediave duhet cekur se fushatat kane evoluar. Ka tendencë që fushatat gjithmonë të lidhen me televizion, mirëpo do të doja të kishte shtrirje në të gjitha kanalet e informimit. Kemi persona që ende informohen nga televizioni apo gazeta, po ka edhe persona tjerë që të gjitha informatat i marrin nga rrjetet sociale, prandaj KQZ-ja duhet shpërndarë vizibilitetin dhe fushatën informuese edhe në këto pjesë”, ka thënë ajo.

Ndërsa Gazmend Syla, kryeredaktor në televizionin “Klan Kosova”, ka folur për mënyrën se si mediat raportojnë në kohë të zgjedhjeve dhe mundësitë e ndikimit të lajmeve të rreme në përcaktimin e votuesve se për kë do të votojnë.

“Këshilli i Mediave të Shkruara nuk merret dhe nuk jep vendim në kohë reale për një raportim të një lajmi të rremë nga një media e caktuara. As KPM-ja nuk jap vendim të shpejtë për çfarëdo ankese që ka të bëjë me lajme të rrejshme që munden me i lëshuar media të caktuara. Kjo e bënë më problematike situatën sepse nuk ka mekanizëm që do të merrej më këtë çështje. Nuk mund të këtë lajme të rrejshme në media dhe televizione të mëdha sepse ato nuk mund t’i ikin përgjegjësi për publikimin e tij. Por lajmet e rrejshme kryesisht publikohen nga media që krijohen aty për aty ose gazetarë apo individ që e kanë lehtë me i zhduk gjurmët se kush e ka publiku”, ka thënë ai ndër të tjera.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme