Nuk ka kaluar amendamenti për dyfishimin e mbështetjes për gjykimin e ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, raporton Ekonomia Online.
Në mbledhjen e Komisionit për Buxhet dhe Financa, katër anëtarë të tij votuan për, tre kundër dhe dy abstenuan.
Megjithëse kryesuesi i këtij komisioni deklaroi se amendamenti mori mbështetje, nga Zyra Ligjore ia kanë tërhequr vërejtjen se me dy abstenime, amendamenti nuk kalon.
Anëtarët më pas patën diskutime mes tyre nëse amendamenti kalon apo jo. Disa prej tyre u shprehën të bindur se kalon, megjithatë prapa kamerave u tha se ai nuk u miratua.
Amendamenti u paraqit nga Arian Tahiri i Partisë Demokratike të Kosovës.
Sipas tij, amendamenti ishte tejet i rëndësishëm për identitetin dhe reputacionin e vendit tonë.
“Kërkoj mbështetjen për amendamentin, i cili është shumë i rëndësishëm, për shkak se propozohet të dyfishohet mbështetja për të akuzuarit tanë që janë në Hagë”.
“Pra, bëhet fjalë për çështje shumë të rëndësishme – për identitetin dhe reputacionin e vendit tonë. Duke pasur parasysh se ka nevojë për mbështetje më të avancuar dhe më të lartë nga shteti i Kosovës, kjo është në përputhje me ligjet dhe rregulloret në fuqi”, tha ai.
Megjithatë, Fatos Geci nga Lëvizja Vetëvendosje nuk e përkrahu këtë amendament.
“Nuk janë themelues shteti dhe nuk konsideroj që duhet të votohet”, tha ai.
