Që kur Lionel Messi e tërhoqi prapa vendimin e tij për t’u pensionuar nga Kombëtarja e Argjentinës, bardhekaltrit kanë një rekord negativ nëpër gara të mëdha. Që nga atëherë, argjentinasit e kanë siguruar vetëm një fitore në turnetë e mëdha.
Lionel Messi kishte shpresuar se do ta fitonte tripletën me Barcelonën në sezoni 2018/19 dhe ishte favorit për ta fituar Topin e Artë. Megjithatë, situata për të ka marrë kahje tjetër gjatë muajve të fundit.
Barcelona u eliminua nga Liga e Kampionëve në mënyrë tronditëse kundër Liverpoolit, ia dorëzuan kurorën e Kupës së Mbretit Valencias dhe Virgil Van Dijku konsiderohet favorit për ta marrë Topin e Artë.
Tani, Argjentina e ka nisur në mënyrë mjaft zhgënjyese rrugëtimin në Kupën e Amerikës, pasi u mposht me rezultat 2:0 në ndeshjen e parë kundër Kolumbisë dhe barazoi me rezultat 1:1 kundër Paraguait.
Kjo bën që Argjentina ta rrezikojë eliminimin nga Kupa e Amerikës qysh në fazën e grupeve, edhe nëse e fiton ndeshjen e fundit, kundër Katarit të dielën. Kjo mund të jetë ndër mundësitë e fundit të Messit për ta fituar një trofe të madh me Kombëtaren e Argjentinës.
Në vitin 2016, Messi kishte lajmëruar se është pensionuar nga futbolli ndërkombëtar, menjëherë pas disfatës tronditëse në finale kundër Kilit, në të cilën Messi e humbi penalltinë. Megjitahtë, ai e ndërroi mendjen pas bisedimeve me zyrtarët e Federatës së Futbollit të Argjentinës.
Messi mund të jetë penduar për atë vendim, pasi që, që nga ajo verë, Argjentina ka kaluar nëpër një periudhë mjaft të vështirë.
Që kur Messi vendosi të kthehej në Kombëtaren e Argjentinës, bardhekaltrit e kanë fituar vetëm një nga gjashtë ndeshjet e zhvilluara në garat e mëdha.
Ata arritën të kualifikohen me vështirësi nga grupet në Kupën e Botës, pas barazimit me Islandën, humbjes ndaj Kroacisë dhe fitores kundër Nigerisë. Argjentina u duk më e gjallë në fazën e 1/8 të finales, mirëpo golat e Antoine Griezmann, Benjamin Pavardit dhe dy nga Kylian Mbappe bënë që Franca të shkojë në çerekfinale.
Edhe nëse merren parasysh edhe ndeshjet e tjera, rekordi i Argjentinës nuk është shumë më i mirë. Edhe pse i kanë fituar shtatë ndeshje, bardhekaltrit mezi e siguruan kualifikimin për këtë turne pasi barazuan në shtatë ndeshje dhe pësuan disfata turpëruese kundër Brazilit, Bolivisë, Ekuadorit dhe Paraguait.
Kjo bën që Argjentina t’i ketë vetëm tetë fitore, nëntë barazime dhe shtatë disfata që kur Messi u kthye nga pensionimi i tij në Kombëtare.