Rektori i UBT-së, prof.dr. Edmond Hajrizi ishte panelit në konferencën “E kaluara bashkëkohore. E ardhmja historike”, organizuar në Prizren të dielën, në kuadër të aktiviteteve nismëtare të Bienales Ndërkombëtare të Artit Bashkëkohor “Autostrada Biennale”.
Konferenca i zhvilloi punimet në katër sesione. Sesioni i parë iu kushtua artit dhe territoreve krijuese të padefinuara. “Një qytet që nuk ka galeri, por ka bienale të artit”, ishte tema e sesionit të dytë, “Pikat e përbashkëta: Arti, investitorët dhe publiku”, sesioni i tretë dhe i katërti me temën “Bienalja e artit bashkëkohor”.
Hajrizi ishte panelist në sesionin e dytë, “Pikat e përbashkëta: Arti, investitorët dhe publiku”, që i zhvilloi punimet në ambientin e brendshëm të Hamamit të Gazi Mehmet Pashës në Prizren.
“Autostrada Biennale është event inovativ dhe që ka një element pozitiv, sepse ka krijuar një listë të pyetjeve që janë për interes të shoqërisë dhe njëkohësisht ka sjellë edhe artistë shumë me vlerë, ekspertë të ndryshëm edhe nga Kosova por edhe nga jashtë”, theksoi fillimisht rektori Hajrizi duke iu drejtuar të pranishmëve.
“Ne si UBT i kemi përkrahur dhe jemi pjesë e partnerëve në këtë eveniment. Ky sektor lidhet edhe me fushat tona të interesit siç është media, arkitektura, inxhinieria e shumë të tjera, ku pjesa artistike ka një rol shumë domethënës në gjenerimin e vlerave, qoftë të arsimit, qoftë produkteve që dalin nga ky sektor”, theksoi ndër të tjera z.Hajrizi.
Ndër panelistë të konferencës ishin emra të njohur të kulturës dhe të shkencës, si Sislej Xhafa, Yehuda Safran nga Columbia University, artisti slloven Miran Mohar, ai kosovar Petrit Halilaj, arkitekti Gëzim Paçarizi, kuratori nga Stambolli, Ali Akay, Zdenka Badovinac nga “Moderna Galerija” e Lubjanës e të tjerë.