Rektori i UBT-së, Edmond Hajrizi ka takuar ministren e Tregtisë dhe të Industrisë, Hikmete Bajrami. Në takim u bisedua lidhur me forcimin e bashkëpunimit midis UBT-së dhe Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, me ç’rast palët kanë biseduar lidhur me zhvillimin e kapaciteteve për punësim, turizëm, ndërmarrësi etj.
Rektori Hajrizi e njoftoi ministren Bajrami edhe me drejtimet, qendrat e ndryshme hulumtuese, inkubatorët dhe laboratorët që gjenden në kuadër të UBT-së. Gjithashtu, Hajrizi shtoi se UBT ka gjeneruar vende të reja të punës dhe se deri tashti në UBT kanë punuar mbi 1000 punëtorë.
“UBT ka për qëllim që të kontribuojë në fusha të ndryshme, që kanë për qëllim përmasimin e jetës së qytetarëve të Kosovës. Andaj, bashkëpunimet e tilla ndërmjet institucioneve të arsimit dhe institucioneve të qeverisë janë të mirëseardhura dhe shumë frytdhënëse”, tha rektori Hajrizi.
Nga ana tjetër, ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hikmete Bajrami shprehu gatishmëri e ministrisë për të bashkëpunuar me UBT-në.