Gjykata Themelore në Prishtinë, dega në Lipjan, e ka dënuar me pesë muaj burgim me kusht dhe 1200 euro gjobë, të akuzuarin për posedim të paautorizuar të narkotikëve, Feronit Shabanin, i njohur me emrin artistik Fero.
Sipas aktgjykimit të shpallur të enjten, nga gjykatësi Avdirrahman Gashi, dënimi me burg ndaj tij nuk do të ekzekutohet nëse i njëjti nuk kryen vepër tjetër penale brenda një viti, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Shabani gjithashtu u dënua me 1200 euro gjobë, shumë të cilën obligohet ta paguajë pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.
Gjykatësi Gashi bëri të ditur se Shabani obligohet të paguajë edhe shumën prej 20 euro për paushallin gjyqësor, dhe shumën prej 30 euro për fondin e kompensimit të viktimave.
Ndryshe, në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 20 shkurt, pas leximit të aktakuzës nga prokurori Blerim Igrishta, i akuzuari Shabani është deklaruar fajtor për veprën që i vihet në barrë.
I njëjti kishte deklaruar se ka qenë përdorues i mëhershëm i marihuanës, por që nuk ka përdorur më substanca të tilla, që nga dita që është zënë nga policia.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, me 15 nëntor 2018, kishte ngritur aktakuzë ndaj të akuzuarit Feronit Shabani, me arsyetimin se ai ka kryer veprën penale “posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge” nga neni 275, paragrafi 1 të KPRK-së.
Sipas aktakuzës, Shabani, në mënyrë të paautorizuar ka poseduar substanca narkotike, me peshë të përgjithshme prej 13.5 gram. Në aktakuzë thuhet se me 25 qershor 2018, rreth orës 21:20, në rrugën “Avdi Kelmendi” në Lipjan, pas një kontrolle të realizuar nga ana e policisë, pasi e kanë ndaluar automjetin e tipit “VW Toureg”, tek i akuzuari Shabani është gjetur një sasi e substancës së dyshuar narkotike e llojit “marihuanë”.