Institucioni ka publikuar në faqen e vet zyrtare listën me 145 lejet në proces revokimi nga 696 licenca që numërohen në total. Të gjitha kompanitë që zotërojnë licencat, janë njoftuar përmes një shkrese zyrtare të Ministrisë për nisjen e procedurave të revokimit të lejeve.
Disa prej lejeve në proces revokimi janë dhënë në vitet 1995-1996, ndërkohë që pjesa dërrmuese e lejeve në proces revokimi i përkasin periudhës 2005-2013.
Në letrat dërguar kompanive përkatëse, Ministria ka argumentuar edhe arsyet e revokimit të lejeve, të cilat nisin nga skadimi i afatit, deri te mospërmbushja e detyrimeve kontraktuale.
Revokimi i lejeve minerare problematike është një proces i nisur prej vitesh. Sipas Ministrisë së Energjisë një prej shkaqeve kryesore ka qenë mospërmbushja e investimeve të përcaktuara në kontratat minerare lidhur me kushtet teknike dhe sigurinë e minatorëve.
Problem i përhershëm ka qenë edhe mospërmbushja e detyrimit të kompanive që zotërojnë për të kryer rehabilitimin mjedisor të zonave ku operojnë.
Nga ana tjetër, një pjesë e mirë e kompanive që zotërojnë lejet minerare janë jo korrekte në dorëzimin e pasqyrave financiare.
Shkalla shumë e lartë e evazionit të industrisë minerare evidentohet edhe nga Sekretariati Nisma për Transparencë në Industrinë Nxjerrëse.
Raportet e këtij organizmi ndërkombëtar transparence kanë prodhuar të dhëna shqetësuese për industrinë minerare në Shqipëri, për shkak të të ardhurave minimale në arkën e shtetit dhe shkallës së ulët të transparencës në të gjithë sektorin.