Në shkrimin e tij që është pak më i gjatë se kënga e Bec Sinanit, dhe pak më i shkurtër se kënga e Oso Kukës, pas sqarimit të rrethanave dhe fakteve që merren me mend, nuk preken me dorë, e as nuk shihen me sy, Sherlok Holmsi ka ardhur në përfundim se ‘Shteti e vrau Astrit Deharin’!
S’ka tjetër logjikë.
Rexhep Qosja gjatë hetimeve të tij lidhur me vrasjen, ka konstatuar se Astritin nuk e vrau pushteti, por shteti.
Pra, nuk e vranë njerëzit, por e vrau kombi i organizuar politikisht në një shtet, që udhëhiqet nga një pushtet.
Kjo vrasje nuk u krye nga njerëzit, por nga territori dhe nga kombi.
Sipas Rexhep Qosjes, shteti kur vret njerëzit, i lë mjetet e mundimit dhe torturës në vendin e krimit, sepse nuk ia ndin shtetit, vet vendos shteti për llojin e të vërtetës, e krijon shteti vet realitetin, dhe zgjedh vet se çfarë e vërtete i konvenon, sipas rastit!
Supozohet se shteti i vret ata që i dinë fshehtësitë e shtetit.
Nëse ‘viktima’ ka ditur diçka që s’duhet, ka ditur për Vetëvendosjen dhe jo për shtetin.
Sepse, shteti është ‘vrasës profesional’ që me dasht lë gjurmët e krimit, me dasht s’i lë, varet prej disponimit të shtetit dhe varet nga shkalla e arrogancës së tij.
Varet edhe a ka kohë të mjaftueshme shteti që ti fsheh armët me të cilat e kryen vrasjen e individit.
Supozohet se shteti i vret ata që janë aq karizmatik, kanë aq shumë ndjekës dhe adhurues, farë tipash disidenti, sa në momentin që do të dilnin nga burgu, do t’u jepej shansi që ta përmbysin shtetin, (pushtetin ish dasht me thënë, po nejse) …
– Astriti as nuk ishte i njohur, as karizmatik, as nuk kishte ndjekës, as nuk ishte idol i gjeneratave.
Që do të thotë se ai nuk do të mund të ishte një ‘Ukshin Hot’ që do t’ia rrezikonte shtetit karrierën kriminale.
Ai ishte në fillim të jetës së tij, dhe emri i tij u bë i njohur, vetëm pasi vdiq!
– Nëse shteti (pushteti ish dasht me thënë), do të vriste njerëz si Astriti, atëherë do të duhej t’i vriste minimumi gjysmë milioni shqiptarë, që janë si Astriti!
Ndoshta Astriti ka ditur ndonjë sekret edhe për shtetin, por çka është shteti?
Kujt i themi shtet në këtë rast dhe kush duhet të arrestohet nëse zbulohet se shteti është vrasës!
Nëse shteti vret, e zbulohet vrasja e tij, bjen shteti, a çka ndodh!
Jul Cezari thoshte se fajtor është ai që ka përfituar nga vdekja e dikujt!
– Kush ka përfituar nga vdekja e një të riu?
– Shteti?
– Apo Vetëvendosja?
– A s’e ka ditur shteti se nëse i vritet i burgosuri automatikisht i mbetet faji shtetit?
– A s’ka mundur shteti ta lë të lirë, të lë të harrohet puna e tij, e pastaj ta likuidojë në heshtje, pa lënë gjurmë!
Rexhep Qosja do t’i ndihmonte shumë hetimet sikur të guxonte të thoshte se ‘pushteti e vrau Astrit Deharin!’
Por, ai gjithmonë ka shkruar si komunist…është tepër i mençur për ta bërë atë gabim.
Kështu, e lë fajtor shtetin, që do të thotë s’e lë fajtor askënd konkretisht.
Sikur të isha ‘shteti’, pa e marrë Rexhep Qosjen për dëshmitar të rastit nuk e kisha lënë.
Le ta dëshmojë me fakte akuzën e tij ndaj shtetit!
Në akuzën e tij për vrasje, Rexhep Qosja e spjegon se shkatërrimi i tullave dhe sulmi me bomba e zolla, nuk është sulm terrorist.
E ka fjalën për sulmin që aktivistët e VV e bën ndaj Kuvendit të Kosovës.
Sulm terrorist, sipas profës, ngjehet vetëm ai sulm që vret njerëz brenda objektit të sulmit.
Sikur nga sulmi i ndërtesave Binjake në New York do të shpëtonin njerëzit, Rexhep Qosja do ta quante atë sulm ‘sulm ndaj tullave’, pra, është ligjore sipas tij të bombardohen tullat (ndërtesat, institucionet), deris sulmi nuk përpjekjet me jetët e njerëzve.
Deri para shkrimit të Rexhep Qosjes, sulmi me armë të çfarëdo lloji ndaj institucionit është konsideruar sulm kriminal, ndërsa pas sqarimit të këtyre termave, u përmbys teoria e vjetër mbi terrorin, dhe është legjitimuar nga Rexhep Qosja ‘sulmi mbi tulla’.
Rexhep Qosja nuk e legjitimon vetëm ‘sulmin me domate’ ndaj akademikëve, sepse e konsideron gjest të ultë.
Është shqiptari i parë, para dhe pas luftës që u godit nga ‘shteti’ me domate, për t’ia mbyllur gojën!
Të gjithë shqiptarët janë bërë detektiva, Sherlloka, e sende-vende. Tema e vdekjes dhe e seksit (si Frojdin) i tranon shqiptarët.
Nekrofilia është aq e madhe, sa ka ardhur dita që prindi e shfrytëzon vdekjen e fëmijës të tij të ri, për shëruar ‘plagët e tij të vjetra’!
Poshtërsia ka mbërritur deri në këtë shkallë, sa njerëz të Vetëvendosjes e ndërtojnë karrierën e tyre politike mbi varre dhe drama të njerëzve të
mërzitur!
Tërbimi është aq i madh, sa ende pa u zbuluar e vërteta, thërrasin ta rrëzojmë shtetin!
Vdekja e tërheq vdekjen!
Ne asnjëherë nuk i kemi dashur ata politikanë që na thërrasin të shkojmë të vdesim për ta.
Ne kemi shkuar pas atyre që na kanë ftuar për paqe, kundër vdekjes (Rugova), dhe pas atyre që janë ofruar të vdesin për ne! (UÇK).
Kurrë pas atyre që na ftojnë të vdesim për ta (VV).
P.S. Sherlok Holmsi ka qenë detektiv aq i zoti dhe më i popullarizuari në botë, sa që, sipas statistikave të Ginisit, pak kush e di se ai ishte personazh, nuk ishte detektiv i vërtetë, si Rexhep Qosja!
S’po di a me ndalu apo jo shpërndarjen e këtij statusi!
Dhe, s’po di pse Rexhep Qosja (patriot), i ka harruar ata që e ndjeknin dikur dhe e spiunonin te serbët…s’po e zgjati më shumë, nëse kam fat e më lexon Ai, e din për çka e kam fjalën…!