Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ka mbajtur Kuvendin e 22-të Vjetor të Anëtareve në Hotel Emerald, Prishtinë. Kuvendi është një moment kyç për të reflektuar mbi progresin e arritur në zbatimin e Strategjisë së RrGK-së për periudhën 2023-2026, me fokus të veçantë në aktivitetet e realizuara gjatë vitit 2024.
Gjithashtu, ky është një rast për të festuar dhe njohur kontributin e organizatave anëtare dhe partnerëve në avancimin e të drejtave të grave dhe barazisë gjinore në Kosovë por edhe më gjerë.
“Rrjeti nuk është vetëm organizim,” tha Ariana Qosaj-Mustafa, Kryetare e Bordit të RrGK-së. “Rrjeti është një lëvizje e palodhshme e dijes, përvojës dhe e veprimit. Rrjeti është zëri për gjysmën e popullatës, për gratë, që shpesh herë harrohen, ose për të cilat flasin ata që nuk e njohin dhe nuk e kuptojnë jetën tonë.”
“Rrjeti ka punuar për drejtësi, që gratë dhe vajzat të kenë mundësi të barabartë në shëndetësi, punësim dhe jetë të barabartë. Ju e fituat besimin e shumë grave, duke na bërë të kemi besim se mund ta kemi një jetë të barabartë dhe të drejtë,” tha Ish-Presidentja e Republikës së Kosovës, znj. Atifete Jahgjaga. “Ju na dëshmuat se një shoqëri mund të krijohet me vizion të drejtë dhe të barabartë, pa diskriminim.”
Tre anëtaret e RrGK-së kanë ndarë përvojat dhe storiet e bashkëpunimit të tyre me RrGK, mbështetjen që ato e morën në hapat e parë të fillimit të aktivizmit të tyre.
“Lëvizja e grave ka filluar dhe në qendër të saj ka qenë zonja Rogova e cila nuk ishte vetëm, por e mbështetur nga stafi i mrekullueshëm i RrGK-së. Na keni mësuar të mos ndalemi përballë sfidave, për një shoqëri të re e të barabartë,” tha Drejtorja Ekzekutive e Qendrës për Mbrojtjen e të Drejtave të Grave në Drenas, znj. Kadire Tahiraj. “Kur hapëm Qendrën në vitin 2012, [Igballe Rogova] dhe Rrjeti ishin aty, [të përkrahin] në identifikimin e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës, në një kohë kur kjo çështje ishte tabu, por ne nuk u ndalëm falë mbështetjes së RrGK-së. E kështu shumë gra përfituan qasje më të mirë në shëndetësi, mundësi për fuqizim ekonomik e mbështetje emocionale.”
Pastaj, znj. Ganimete Sava, një artiste me aftësi të kufizuara dhe organizatore e festivalit “Art Without Limit”, tha “RrGK-ja ishte mbështetësja e parë e festivalit tonë. Gjithashtu, jemi bërë pjesë e rrjetit të festivaleve botërore, ku kemi fituar shumë njohje ndërkombëtare dhe kemi arritur suksese të tjera.”
Në fund, drejtorja e organizatës “Ruka Ruci”, znj. Nevenka Rikallo tha, “Sot jemi mbledhur në shenjë solidariteti sepse vetëm kështu mund të jemi më të forta, më të bashkuara sepse forca jonë është në 140 OJQ të grave aktive në Kosovë. Rrjeti na bashkon zërat që të luftojmë për të drejtat e grave, për liri dhe mundësi të barabarta, pa marrë parasysh përkatësinë etnike… Ju falenderojmë për çdo gjë e sidomos për mbështetjen e hapjes së strehimores për të mbrojtur viktimat e dhunës në familje.”
Gjatë Kuvendit, RrGK ndau çmimin vjetor “Sevdije Ahmeti”, i cili këtë vit iu nda aktivistes Marta Prekpalaj për kontributin e dhënë në mbrojtjen e grave dhe fëmijëve para luftës dhe aktivistes Kadire Tahiraj, për kontributin e dhënë në mbrojtjen e të mbijetuarave të dhunës seksuale në luftë.
“Çdo punë që ne kemi bërë, e kemi bërë bashkë”, tha Marta Prekpalaj pas marrjes së çmimit.
Tutje, Kadire Tahiraj tha, “Këtë çmim ia dedikoj të gjitha viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës, në kujtim të zonjës Sevdije Ahmeti që ishte zëri i tyre.”
Stafi i RrGK-së bëri edhe prezantimin e arritjeve dhe sfidave të vitit të kaluar, si dhe planet për vitin 2025. Anëtaret kanë aprovuar Raportin Vjetor për vitin 2024 si dhe Planin e Punës për 2025. Gjithashtu, anëtaret votuan inicimin e hartimit të Strategjisë së re të RrGK-së.
Në fund, RrGK përzgjodhi edhe dy anëtaret e reja të Bordit, të votuara nga anëtaret, Gjyljeta Mushkolaj edhe Maria Berishaj-Sylejmani. RrGK falënderoi Ariana Qosaj-Mustafa edhe Zana Hoxha për mbështetjen, dedikimin dhe kontributin e jashtëzakonshëm në Bord.