Në një Udhëzim, të nxjerrë për miratimin dhe certifikimin e xhamave të errësuar me materiale të fabrikuara dhe të homologuara nga prodhuesi, për përdorimin e tyre në autovetura, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ka saktësuar se si mund të kërkohet leja për xhama të zinj në makina, ose për të errësuar xhamat që nuk janë të zinj.
Është Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor organi i miratimit dhe i certifikimit të xhamave të errësuar me materiale të fabrikuara dhe të homologuara nga prodhuesi, për përdorimin e tyre në autovetura, theksohet në Udhëzim.
Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor miraton dhe certifikon xhamat e errësuar me materiale të fabrikuara dhe të homologuara nga prodhuesi, për përdorimin e tyre në autovetura, në zbatim të ligjit nr. 8378, datë 22.7.1998 “Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, vendimit nr. 153, datë 7.4.2000, të Këshillit të Ministrave “Për miratimin e rregullores së zbatimit të Kodit Rrugor të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, dhe direktivës 2007/46/KE, datë 5.9.2007 të Parlamentit Europian dhe të Këshillit.
Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor harton dhe miraton Rregulloren e brendshme për gjithë procedurat administrative dhe teknike për miratimin dhe certifikimin e xhamave të errësuar me materiale të fabrikuara dhe të homologuara nga prodhuesi, për përdorimin e tyre në autovetura.
Çdo xham i homologuar që vishet me material të homologuar duhet të miratohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor. Xham i errët do të konsiderohet xhami i veshur me material të homologuar që ka tejçueshmëri drite më pak se 70%.
Nuk lejohet errësimi i xhamit të përparmë ballor në autovetura. Përjashtimisht, lejohet ulja e tejçueshmërisë së dritës në xhamin e përparmë ballor vetëm në pjesën e sipërme, në një shirit gjatësor, gjerësia e të cilit është deri në 125 mm.
Rregullorja e brendshme për procedurat administrative dhe teknike për miratimin dhe certifikimin e xhamave të errësuar me materiale të fabrikuara dhe të homologuara nga prodhuesi, për përdorimin e tyre në autovetura, lidhur me dokumentacionin që duhet paraqitur për miratim në Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, duhet të parashikojë që të përmbajë, sipas rastit, edhe:
a) dokumentin e origjinës nga prodhuesi;
b) dokumentin e homologimit të materialeve për errësimin e xhamave nga institucioni kompetent përkatës, ose deklaratën e përputhshmërisë nga prodhuesi;
c) shënimin përkatës në dokumentin me treguesit teknikë të mjetit, ose dokument tjetër me shënimin përkatës nga vendi i origjinës së mjetit;
d) dokumentacionin nga subjekti që ka kryer errësimin e xhamave në autoveturë, sipas modelit të përcaktuar nga DPSHTRR-ja;
e) garancinë për punimet e kryera për errësimin e xhamave.
Subjektet që errësojnë xhamat, në zbatim të ligjit nr. 9573, datë 3.7.2006, duhet të disponojnë licensë për kategorinë VII.3.B.1/b.
Kurse subjektet që do të kryejnë errësimin e xhamave, duhet të lëshojnë garancinë për punimet e kryera. Vlefshmëria e certifikatës së miratimit do të jetë e njëjtë me afatin e garancisë të lëshuar nga subjekti i licensuar që ka kryer errësimin e xhamave.
Certifikimi
Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor pasi të miratojë errësimin e xhamave, do të lëshojë certifikatën përkatëse, sipas modelit të miratuar, për xhama të errësuar me materiale të fabrikuara dhe të homologuara nga prodhuesi, për përdorimin e tyre në autovetura, e cila duhet mbajtur gjithmonë në autoveturë.