Rikthimi i Boratit të famshëm me kritika të zbehta

Prishtinë | 23 Tet 2020 | 08:55 | Nga Ekonomia Online

Vazhdimi i komedisë së suksesshme të britanikut Sacha Baron Cohen ka marrë vlerësime të përziera nga kritikët. “Borat Subsequent Moviefilm: Delivery of Prodigious Bribe to American Regime for Make Benefit Once Glorious Nation of Kazakhstan” do të publikohet të premten.

Kritiku Justin Chang nga gazeta “LA Times” e ka përshkruar vazhdimin e filmit si shumë qesharak dhe shpesh pikant, transmeton KOHA.

“Me disa përjashtime, kritikat satirike të Boratit kësaj here nuk vijnë me të njëjtën forcë, skenat janë shumë të ngatërruara dhe caqet anonime janë lehtë të zbulueshme”, ka thënë kritiku Chang.

Filmi nis me Boratin në burg. Është fundi i dënimit të tij që e vuajti pasi e turpëroi shtetin me filmin e parë.

Mirëpo sapo të lirohet, kthehet në Amerikë. Kësaj here me qëllim që të bijën Tutar (të portretizuar nga aktorja Maria Bakalova) t’ia ofrojë si dhuratë zëvendëspresidentit Mike Pence.

Gjatë krejt filmit Borati njoftohet dhe tallet me disa politikanë amerikanë, shumë prej të cilëve përkrahës të presidentit Donald Trump.

Kritiku Peter Debruge i revistës “Variety” ka thënë se vazhdimi ishte një kthim i mirëpritur i Baron Cohen që ka luajtur në komeditë si “Bruno”, “The Dictator” dhe “Grimsby”.

“Sinqerisht, aktori nuk ka bërë asgjë që prej Boratit dhe vazhdimi kishte të njëjtin ndikim. Është një lehtësim që filmi i ri nuk është pjesë e re, por parodi që e ka ruajtur origjinalen”, ka thënë ai.

“Borati nuk e ka humbur stilin dhe ndërthur humorin sofomerik me satirën politike”, ka shtuar kritiku Debruge.

Filmi është shpërblyer me katër yje nga John Nugent i revistës “Empire”. Edhe kritiku Nugent ka vërejtur se vazhdimi i filmit nuk qëndron fort larg origjinalit.

“Shumë prej mahive të pjesës së parë janë përsëritur ose ripërpunuar”, ka thënë ai.

Sidoqoftë, Robbie Collin i gazetës britanike “The Telegraph” nuk ishte i kënaqur me filmin të cilin e ka vlerësuar me vetëm dy yje.

“Për shumicën e filmit, skenat janë të dala mode. Gjysma e shakave janë të papërpunuara dhe dyshoj se do të mund t’i mbijetonin kontrollit për kualitet”, ka thënë ai.

Në vlerësimin treyjesh të gazetarit Peter Bradshaw nga “The Guardian”, thuhej se nuk ishte fryma e njëjtë si me filmin e parë, ani pse pati të qeshura në disa momente politike të filmit.

“Borati është shëtitur në Amerikën e Donald Trumpit. Pjesët më të mira të filmit ishin kur shpaloste vetëkënaqësinë kur bëhej fjalë për Covid-19”, ka thënë Bradshaw.

Bradshaw dhe disa kritikë vunë në pah se sa sfiduese ishte për aktorin Baron Cohen që të xhironte vazhdimin tani kur Borati është shumë i njohur.

“Problemet vërehen që në fillim të filmit. Boratin tani e njeh krejt Amerika dhe të dalësh me të njëjtat mahi është dashur ta fshihte shumë veten”, ka thënë Devika Girish nga “The New York Times”.

“Borat Subsequent Moviefilm” do të publikohet në shërbimet e ndryshme online.

Në analizën e tij në “LA Times”, Chang ka thënë se ky film do të vuajë për kinematë e mëdha sesa për dhomat e ndejës të shtëpive.

Vëmendja për filmin më shumë është e përqendruar në figurat e larta që janë cak i Boratit dhe Tutarit. Në një skenë, avokati i presidentit Trump, Rudy Giuliani, intervistohet nga Tutari në dhomën e hotelit. Ajo e fton Giulianin për një pije. Pasi atij i hiqet mikrofoni ai shihet duke futur duart nën pantallona.

Giuliani ka reaguar, duke thënë se videoja e Boratit është fabrikim.

“Isha duke e futur këmishën nën pantallona pasi m’i hoqën pajisjet e incizimit”, ka thënë Giuliani. “Nëse Sacha Baron Cohen tregon një tjetër skenë, atëherë është një gënjeshtar i madh.

John DeFoe i revistës “The Hollywood Reporter” ka thënë se rasti me Giulianin është inskenuar.

“Forma e sekuencës dhe muzika tregojnë se ish-kryetari po tenton të joshë intervistuesen. Por më shumë duket si pamje e vënies së mikrofonit që është ripërpunuar mirë”, ka thënë ai.

“Përgjigjja më e lehtë është se periudhës së George W. Bushit i duhej një Borat dhe vitet e Trumpit e bëjnë atë shumë të parëndësishëm.

“Subsequent Moviefilm” nuk do të jetë i vetmi për Baron Cohenin gjatë muajit tetor.

Aktori është lavdëruar shumë për rolin e tij në filmin “The Trial of Chicago 7”, që është publikuar në Netflix në fillim të muajit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme