Kanë nisur rinovimet e brendshme të gjimnazit “Bedri Pejani” të Pejës, në të cilin nuk ka pasur investime prej 8 dekadash.
Drejtori i Arsimit, Besim Avdimetaj, tregon se ky investim ka vlerën prej rreth 200 mijë eurosh dhe, sipas tij, është një investim i përbashkët i Ministrisë së Arsimit dhe Komunës së Pejës, shkruan sot Koha Ditore.
“Me këto mjete është planifikuar meremetimi i tërësishëm i dhomave të mësimit dhe ndërrimi i dyshemeve…”, thotë Avdimetaj.
Me këto investime që tashti po bëhen ai pret që ambientet e reja në gjimnaz të ndikojnë pozitivisht edhe në ngritjen e cilësisë së arsimit. “Ne si drejtori në bashkëpunim me MASHT-in dhe kryetarin e Komunës, Gazmend Muhaxheri, po mundohemi të kontribuojmë në rregullimin dhe ofrimin e kushteve sa më të mira për nxënësit e shkollave të Pejës, sepse kur ambienti dhe kushtet e mira për mësim nuk mungojnë, atëherë nuk do të mungojë as vullneti i nxënësve për mësimnxënie”, thekson Avdimetaj. Ai njofton se deri në fillimin e vitit të ri shkollor punimet do të përfundojnë dhe se gjimnazi do të jetë i gatshëm për procesin mësimor të vitit të ri shkollor.