Ripatrimonilizimi i shtetit

Prishtinë | 13 Pri 2022 | 16:31 | Nga Afrim Kasolli

Qeveria Kurti erdhi në pushtet me shpresën se do të ofronte për qytetarët e Kosovës, vende të reja të punës, zhvillim ekonomik dhe mirëqenie sociale, pavarësisht dallimeve politike.

Pra në vend të përkatësisë partiake, kriter për punësim thuhej se do shërbente meritokracia profesionale. Kjo fushatë ishte e ndërtuar mbi sloganin e njohur kundër lidhjeve simbiotike ndërmjet “familjes, pronës dhe shtetit”.

Mirëpo, deri sot çka kemi parë, ka qenë vetëm shkarkimi i disa anëtarëve të partive tjera politike nga institucionet publike dhe plotësimi i pozitave vakante me militantë të saj politikë.

Nuk po e kontestoj këtë të “drejtë” të ekzekutivit për këto veprime. Kurse sa kanë bazë ligjore sjellje të tilla, është detyrë e instancave juridike për ta interpretuar këtë fenomen.

Po ashtu, nuk mund të mohohet fakti se në të kaluarën, librezat partiake, përkatësia familjare, lidhjet e gjakut, fryma e tribalizimit dhe militantizmi politik ishin kriteret kryesore për punësim. Pra nuk është se pushteti aktual po e aplikon ketë metodë për herë të parë në Kosovë.

Në këtë drejtim, qeveria Kurti nuk ka asnjë obligim ndaj opozitës. Por, ndaj premtimeve të saj për tejkalimin e këtyre anomalive. Sepse, ky mentalitet klientelist i ka kushtuar jo pak Kosovës. Pasojat e kësaj mendësie do të reflektohen për një kohë të gjatë. Emigrimi masiv i të rinjve është vetëm njëra nga simptomat më tragjike të këtij tjetërsimi. Duke i privuar njerëzit nga e drejta për punë, vetëm pse nuk i takojnë grigjës sate politike, i privon edhe nga të drejtat elementare njerëzore.

Kështu, duke i vazhduar pikërisht ato praktika që deri dje i ka denoncuar, kjo qeveri, gradualisht po shndërrohet në shembull eklatant të asaj mendësie që e mban shtetin peng të partisë në pushtet, sipas së cilës fituesit i takojnë të gjitha. Përsëri po e theksoj, që partia në pushtet “mund” të sillet në këtë mënyrë, nëse akte të tilla nuk bien në kundërshtim me sistemin ligjor, sepse mjerisht kështu kanë vepruar edhe qeveritë paraprake.

Po ashtu, nuk po kontestoj obligimin e saj ndaj mbështetëseve të vet politikë. Mirëpo, dyshoj se kjo strategji është më e duhura. Sepse, politikisht ajo nuk shënon asnjë ndryshim të mentalitet politik në vend. Përkundrazi, me anë të këtij inakrinimi, qytetarët e Kosovës, do të mbesin peng, të atij rrethi vicioz që e vulos stagnimin, prapakthimin dhe rrënimin e shpresës. Kurse, shteti nga shtëpi e përbashkët e të githëve, gradualisht shndërrohet në privilegj për dikënd dhe vetëm detyrim për të tjerët.

Prandaj, kjo qasje nuk përfaqëson asgjë progresive. Por, shënon një ripatrimonilizim të shtetit dhe politikës.

Të ngjashme