Rizvanolli: Kritike të rriten mundësitë e alternativave për ngrohje, që të ulim kërkesën për rrymë

Prishtinë | 11 Nën 2022 | 17:50 | Nga Ekonomia Online

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, gjatë ditës së sotme ka pritur në takim kryetarin e Komunës së Obliqit, Xhafer Gashi, nënkryetarin e Komunës së Prishtinës, Alban Zogaj, kryeshefin e “Termokosit”, si dhe përfaqësues nga KEK-u, MMPHI-ja, MFPT-ja dhe ZKM-ja, për të diskutuar rreth zhvillimit të projektit për dyfishim të kapaciteteve prodhuese të koogjenerimit (nga 140 në 280 MW/h).

Sipas saj, ky projekt është duke u zhvilluar nga Banka Evropiane për Investime (EIB) në kuadër të programit IPA 2020.

“Është tejet e rëndësishme të kemi një bashkëpunim të ngushtë mes akterëve të nivelit lokal dhe qendror, në mënyrë që projekti të realizohet në mënyrë sa më të shpejtë dhe sa më të mirë të mundshme”, ka thënë Rizvanolli.

Ajo ka thënë se është kritike që të rriten mundësitë e alternativave për ngrohje, në mënyrë që të ulim kërkesën për energji elektrike për ngrohje, gjë e cila thotë se rrezikon sigurinë e furnizimit me energji elektrike.

“Një projekt i tillë, i cili mundëson qasje në Ngrohje Qendrore për një numër të konsiderueshëm të qytetarëve, është prioritet i përbashkët i të gjithë akterëve”, shkroi Rizvanolli.

Të ngjashme