Misioni i OSBE-së në Kosovë do të angazhojë personel për këshilla dhe ndihmë teknike në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të katër komunave veriore.
Ky mision do të përfshihet në proces, me ftesë të Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ), shkruan sot Koha Ditore.
“Ne i jemi përgjigjur pozitivisht letrës dhe shefi i misionit tonë, ambasadori Braathu, planifikon t’i takojë zonjën Daka dhe gjithë KQZ-në, për t’i informuar rreth përgatitjeve tona dhe pastaj do të vazhdojmë takimet e rregullta. Ekipi zgjedhor i Misionit do të vazhdojë të mbajë kontakte të ngushta me KQZ-në dhe komisionet komunale të zgjedhjeve gjatë gjithë procesit në vazhdim”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për informim të OSBE-së.
“Misioni do të ketë personel të përfshirë në komisionet komunale të zgjedhjeve dhe në komisionet e vendvotimeve në ditën e zgjedhjeve, me qëllim që të ofrojnë këshilla dhe ndihmë teknike gjatë zhvillimit të procesit zgjedhor”. Në OSBE e kanë bërë të qartë se ky nuk është një mision vëzhgues, por që ofron asistencë teknike për organet kryesore të emëruara nga KQZ-ja, e të cilat bëjnë administrimin e zgjedhjeve.