Rozeta Hajdari arsyetohet për Rezervat Shtetërore, përmend luftën e Ukrainës

Prishtinë | 14 Nën 2025 | 15:35 | Nga Ekonomia Online

Pas ngritjes së aktakuzës nga Prokuroria Speciale për skandalin e Rezervave Shtetërore, ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, është arsyetuar në lidhje me këtë, raporton Ekonomia Online.

Ajo ka thënë se gjithë kjo ndodhi për shkak të luftës në Ukrainë dhe rritjes së çmimeve të produkteve bazë, si gruri, mielli e vaji.

“Prokuroria Speciale ka deponuar aktakuzë kundër meje dhe të tjerëve në Gjykatën Themelore, ku PSRK pretendon që unë me dashje kam siguruar përfitim për persona të tretë duke dëmtuar buxhetin e shtetit gjatë procedurës së sigurimit të rezervës shtetërore të mallrave gjatë muajit shkurt dhe mars 2022″.

“Më lejoni t’ju njoftoj se rezervat shtetërore të mallrave krijohen për të ndërhyrë në mënyrë operative për mbrojtjen e popullsisë, ekonomisë në rast të çrregullimit të tregut, mbrojtjes së vendit dhe situatave të përcaktuara në nenin 2 të ligjit për rezervat shtetërore të mallrave”.

“Në vitin 2021, MINT ka shpallur tri herë procedurat për rezervat, ku një ka përfunduar me sukses, ndërsa dy kanë dështuar për shkak të mosofertimit. Mosblerja e mallrave është e dëshmuar, por këto fakte PSRK nuk i ka marrë për bazë. Ju rikujtoj se me shpërthimin në luftës në Ukrainë, periudha shkurt–mars 2022 ishte ndër më sfidueset”.

Sipas saj, pati fluktuime në të gjithë zinxhirin global të furnizimit.

“Në javët e para të luftës, jo vetëm Ukraina, por edhe shumë vende të tjera filluan me ndalimin e eksporteve. Kjo vërtetohet edhe nga raportet e ndryshme ndërkombëtare, ku shihet se vendet kanë ndaluar eksportet”, tha ajo.

“Kështu, në 2021 ministria e MINT ka shpallur tri herë procedurat e prokurimit për të blerë një sasi të rezervës së mallrave, nga të cilat një procedurë e prokurimit ka rezultuar me sukses, ndërsa dy të tjera kanë dështuar për shkak të mosofertimit të operatorit ekonomik”.

“Mosmundësia e blerjes së mallrave bazike dhe konsolidimit të rezervës shtetërore të mallrave është e dëshmuar nga tri procedurat e Divizionit të Prokurimit të MINT, por që këto fakte Prokuroria Speciale nuk i ka marrë për bazë në hetimin ndaj nesh”.

Ajo ka arsyetuar veprimin rreth rezervave me “ruajtjen e sigurisë kombëtare”.

“Çdo situatë krize, konflikt ushtarak, fatkeqësi natyrore apo ndërprerje e furnizimit, shteti duhet të garantojë qasje në ushqim që mban gjallë familjet. Pa furnizim të këtyre produkteve, krijohet pasiguri sociale, panik, rritje e çmimeve, destabilizim ekonomik dhe politik. Siguria kombëtare ishte në rrezik, duhej veprim i menjëhershëm i institucioneve tona. Por, MINT në periudhën shkurt–mars, Departamenti në kuadër të MINT, nuk arriti të sigurojë asnjë ofertë nga kompanitë për furnizim të mjaftueshëm”, ka thënë ajo.

Ajo ka shtuar se “rritja e çmimit të drithërave na tregoi se çdo zvarritje bëhet barrë për institucionet dhe se sigurimi i produkteve bazë është i rëndësishëm për shtetin”.

Hajdari ka përmendur edhe historikun se si i paditën dy policët hetues të cilët morën dokumentacionin në zyrat e MINT, e që sipas saj kjo ndodhi jashtëligjshëm dhe pa ndonjë certifikatë të sigurisë.

“Të gjeturat, të ashtuquajtura prova, janë mbledhur jashtëligjshëm përmes hetuesve që kanë zbatuar urdhrin e prokurorit Valdet Gashi, i cili i ka dërguar në MINT pa certifikatë sigurie. Kjo ka ndodhur më 1 gusht 2023, kur dy policë hetues pa certifikatë sigurie, pra pa leje për asnjë nga këto dokumente të klasifikuara ‘sekret’, kanë marrë materialin brenda një ore në Departamentin e Rezervës Shtetërore të Mallrave në kuadër të MINT, duke u thirrur në autorizimin e prokurorit të PRKS-së, Valdet Gashi.

Ne, nga MINT, i kemi denoncuar hetuesit në IPK, dhe IPK ka hapur hetim dhe ka konstatuar shkeljen ligjore me veprimin e policëve hetues, duke konfirmuar se dy policët hetues nuk ishin të pajisur me certifikim sigurie të nivelit ‘sekret’. Në këtë raport të IPK-së, i është kërkuar U.D. të kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale që ta udhëzojë Inspektoratin Policor për veprime të mëtejshme. Por kjo çështje është mbyllur nga vetë prokurori Valdet Gashi.

Ne si MINT kemi dëshmi që vërteton se, me të pranuar raportin e IPK-së, prokurori Valdet Gashi ka pohuar se është në konflikt interesi dhe nuk mund ta trajtojë lëndën, pasi që vetë kishte autorizuar policët hetues të merrnin dokumentacionin. Dhe, siç e theksova më vonë, më 8 nëntor 2023, vetë ky prokuror Gashi, edhe pse tha se ishte në konflikt interesi, ka përpiluar raportin për mbylljen e rastit duke i liruar policët,” tha ajo.

Të ngjashme