Rrahmani: Dua ta fitoj titullin dhe t’i shënoj 20 gola

Prishtinë | 29 Shk 2024 | 08:45 | Nga Ekonomia Online

Albion Rrahmani ishte mbrëmë hero i Rapid Bukureshtit në fitoren me rezultat 4:1 ndaj UTA Arad.

Futbollisti kosovar i realizoi dy gola dhe kështu arriti në kuotën e 11 golave në këtë edicion në ligën elitare rumune.

Pas ndeshjes, përfaqësuesi kosovar foli për golat e tij dhe për synimet deri në fund të sezonit, shkruan “Gazeta Express”.

Ai nuk e fsheh dëshirën për ta fituar titullin e kampionit në Rumani dhe pse jo, deri në fund të sezonit t’i shënojë së paku 20 gola.

“Shpresoj të shënoj më shumë gola. Dua ta fitojmë titullin. Do të shohim nëse do të mundë t’i shënoj 20 gola apo jo. Pas rezultatit 2:0 ne u relaksuam. Më pas ata bënë gabime dhe ne shënuam. Është e rëndësishme të luftojmë deri në fund. Pas rezultatit 3:1, kundërshtari u dorëzua. Tifozët na ndihmuan shumë, ishin lojtari ynë i 12-të. Unë luajta për ta”, deklaroi fillimisht Rrahmani, shkruan mediumi rumun “Digi Sport”, përcjell “Gazeta Express”.

Rrahmani u rikthye me sukses nga lëndimi i rëndë që e la jashtë fushës së blertë për disa muaj dhe tash po shkëlqen prapë në Superligën rumune.

Ish-futbollisti i Ballkanit është pjesë e Rapidit së bashku me dy lojtarët tjerë nga Kosova, Ermal Krasniqi dhe Florent Hasani.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme