Rrëfimi për tmerrin e përjetuar nga grabitësi

Prishtinë | 02 Kor 2017 | 16:52 | Nga

Më 27 janar 2017, sipas aktakuzës, me qëllimin për ta grabitur Milaim Canolli i kishte vënë thikën në fyt Fatime Hajdarit.

Fatime Hajdari, viktimë e grabitjes nga i akuzuari Milaim Canolli, rrëfeu në gjykatë tmerrin e përjetuar në ditën e 27 janarit të këtij viti.
Milaim Canolli akuzohet për grabitjen e Fatime Hajdarit, të cilën e kishte goditur disa herë për ti marrë çantën.

“Mos livrit, mos bërtit, lësho çantën dhe ami paret”, ishin fjalët të cilat Hajdari thotë se ia tha i akuzuari pasi i vendosi thikën në fyt.
Sipas viktimës, ngjarja kishte ndodhur gjatë kohës që ajo ishte duke u kthyer në shtëpi, ku edhe kishte dëgjuar disa hapa nga mbrapa në drejtim të saj.

“Më ka vendosur dorën e majtë mbi supë, ma ka mbyllur gojën dhe hundën me të njëjtën dorë, ndërsa me dorën e djathtë ma ka vu tehin e thikës në fyt”, tha Hajdari në dëshminë e saj.

Më tej, dëshmitarja tregoi se tehu kishte qenë rreth 10-15 cm dhe e tërë thika ka qenë nga metali. Përkundër goditjeve, viktima tha se kishte arritur ti rezistojë për rreth 15 minutave Canollit, duke mos e lëshuar çantën deri sa goditja e fundit në kokë me pjesën e pasme të thikës, kishte bërë që ajo të humbiste fuqinë dhe të e lëshonte çantën.

Pas arrestimit të tani të akuzuarit, Hajdari tregoi se si nëna e tij ka shkuar në shtëpinë e saj dhe i është drejtuar me fjalët “Falja pash zotin, Pash rizen e Zotit lehtoja në gjyq”.

Ndërsa Hajdari i kishte thënë se është çështje e drejtësisë se a do e falë apo jo. Me propozimin e prokurorit Ilaz Beqiri, trupi gjykues e lejoi që e dëmtuara të kthehej nga ana e të akuzuarit dhe ta identifikojë atë.

Më t’u kthyer, e dëmtuara deklaroi: “Ky person është 100% personi i njëjtë që më ka sulmuar më 27 janar”.

Aktakuza ngarkon Milaim Canollin se më 27 janar të këtij viti në orën 16:12 në Prishtinë në rrugën “Azem Bejta”, me qëllim që vetes t’i sjellë përfitim pasuror në mënyrë të kundërligjshme duke përdorur dhunën dhe kanosjen, e duke sulmuar jetën apo trupin e të dëmtuarës Fatime Hajdari, nën kërcënimin e thikës me njërën dorë, ndërsa me tjetrën duke mbajtur viktimën, i ka grabitur të dëmtuarës çantën nga krahu i djathtë.

Në çantë, sipas prokurorisë, gjendeshin portofoli me 125 euro dhe një telefon celular i tipit Iphone 7. Me tej në aktakuzë precizohet se në momentin kur Fatime Hajdari ishte kthyer kah ai dhe ia kishte zbuluar fytyrën, i akuzuari ishte bërë agresiv dhe për këtë disa herë e kishte goditur viktimën gjersa e njëjta kishte rënë në tokë ku e kishte lënduar gjurin.

I akuzuari kishte arritur të largohej prej aty dhe gjësendet ia kishte marrë, kurse çantën ia kishte hedhur në tokë dhe më pastaj është larguar nga vendi i ngjarjes në drejtim të paditur.

Më vonë, Canolli ishte arrestuar nga policia dhe ishte identifikuar nga viktima përmes procedurës standarde të verifikimit në mesin e personave tjerë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme