Rrënohet ish-ndërtesa e doganës, Arbëria do të lidhet me rreth-rrotullimin e madh

Prishtinë | 23 Pri 2018 | 16:11 | Nga Mehmet Krasniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komuna e Prishtinës ka nisur rrënimin e objektit të ish-njësisë së doganës në lagjen “Lakrishte”, në hapësirën e së cilës do të kalojnë mbajtëset e unazës së brendshme të Prishtinës, e cila lidh Fushë-Kosovën me lagjen “Arbëria” në kryeqytet, raporton Ekonomia Online.

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, duke treguar për rrënimin e ish-objektit të doganës ka thënë se lidhja e Fushë-Kosovës me lagjen “Arbëria” do ta shkarkojë komunikacionin.

Ahmeti ka deklaruar se ky objekt ka qenë pengesë dhe është shprehur optimist se do të përfundojë kjo dalje.

“Ka mbetur një krah i cili ka mbetur i papërfunduar dhe i cili e lidh rrethin e Fushë-Kosovës me Arbërinë, për të mos lejuar hyrjen në bulevardin “Bill Klinton”, tani do ta shkarkojë komunikacionin. E kemi pasur pengesë ndërtesën e doganës dhe tash kemi filluar rrënimin e ndërtesës së ish-doganës dhe besoj që shumë shpejt do ta përfundojmë këtë, me ç’rast e përfundojmë njërin krah apo njërën dalje nga rrethi i cili lidhet me Arbërinë”, ka thënë Ahmeti.

Burime të Ekonomia Online bëjnë të ditur se Komuna e Prishtinës ende nuk ka arritur marrëveshje me “Trainkos”-in, pasi që unaza pritet të kalojë pranë hekurudhës.

Ky mund të jetë dhe shkaku që punimet që kishin nisur vitin e kaluar kanë përparuar ngadalë.

Ekonomia Online ka provuar të kontaktojë me zyrtarin për komunikim në Komunën e Prishtinës, Adonis Tahiri, për të sqaruar vonesat e deritanishme, por ai nuk iu është përgjigjur thirrjeve telefonike.

Si shpeshherë edhe më parë, Tahiri i cili paguhet për detyrën e zëdhënësit, nuk ka kthyer përgjigje as përmes postës elektronike.

Të ngjashme