Edhe këtë vit Komuna e Malishevës ka vazhduar përkrahjen për bletarët lokal, përkatësisht për ata, të cilët kanë më pak se tridhjetë shoqëri bletësh dhe nuk mund të përfitojnë nga donacionet e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZhR).
Këtë kategori të bletarëve rreth 150 prej tyre i ka përkrahur komuna, duke ju shpërndarë koshere dhe centrifuga.
Sipas drejtorit të Bujqësisë në Komunën e Malishevës Haxhi Krasniqi, “në kuadër të përkrahjes në bujqësi, edhe sektori i bletarisë është përkrahur me mjete konkretizuese, përkatësisht me koshere dhe centrifuga, ku përfitues janë 140 bletarë me koshere dhe dhjetë të tjerë me centrifuga”.
“Për këtë qëllim, Komuna e Malishevës ka dhënë një fond prej 12 150 euro, do të shpërndahen 250 koshere bletësh dhe dhjetë centrifuga, duke i përkrahur bletarët, të cilët nuk kanë mundësi të aplikojnë për subvencione në grantet qeveritare, pasi kanë më pak se tridhjetë shoqëri bletësh”, tha Krasniqi.
Sipas kryetarit të Shoqatës së Bletarëve të Malishevës Sali Bytyçi, të anëtarësuar në këtë shoqatë janë afro 200 anëtarë me rreth tre mijë shoqëri bletësh dhe se çdo përkrahje për bletarët është e mirëseardhur.
Bazuar në të dhënat e shoqatës, në kushte normale të prodhimit kjo sasi e shoqërive të bletëve mund t’i përmbushë nevojat e Komunës së Malishevës me mjaltë gati 100 për qind, edhe pse në dy vitet e fundit ka qenë vit i brishtë për bletë, pasi nuk ka pasur sasi të mjaftueshme të mjaltit.