Investimi në fshatin Dobratin të Podujevës i realizuar nga KEDS-i, pritet që të përmirësojë dukshëm furnizimin me energji elektrike për këtë pjesë.
Ndër të tjerash, KEDS-i ka bërë ndërtimin e tre trafove të reja me fuqi deri në 250 kVA dhe rrjetin e tensionit të ulët me gjatësi prej mbi 6 kilometrave.
Po ashtu, kjo kompani ka përfunduar ndërtimin e kanalit kabllovik për tension të ulët për kyçjen e konsumatorëve, si dhe ndërtimin e një largpërçuesi në gjatësi prej mbi 4 kilometra.
Sipas zyrtarëve të KEDS-it, ky investim ka qenë i domosdoshëm, meqë rrjeti ekzistues ka qenë i vjetëruar dhe në gjendje të rëndë.
Zëdhënësi ViktorBuzhala thotë se nga projekti i përfunduar do të përfitojnë afër 200 shtëpi të kësaj zone.“Këto investime janë bërë në kuadër të projekteve që KEDS po realizon në tërë Kosovën për të zgjeruar dhe përforcuar rrjetin energjetik. 195 shtëpi do të përfitojnë vetëm nga ky investim,” ka thënë Buzhala.
“Kjo do të ndikojë në sigurimin e stabilitetit energjetik, reduktimin e humbjeve në rrjet, por edhe e shton sigurinë për qytetarët e kësaj ane, meqë rrjeti ekzistues ka qenë i vjetëruar dhe i dëmtuar,” shton ai.
Shtyllat elektrike në këtë fshat kanë qenë të drurit dhe të kalbura, dhe rrjedhimisht kanë qenë rrezik për qytetarët që kanë kaluar afër, sqaron Buzhala.
KEDS është duke investuar në të gjithë Kosovën për të përforcuar dhe zgjeruar rrjetin energjetik.