Rreziku i mbetjes pa kuorum, KPK në kundërshtim me Rregulloren zgjodhi Komisionin për zgjedhjen e një anëtari nga radhët e PSRK-së

Prishtinë | 13 Shk 2024 | 13:02 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Më 27 mars 2024, do të përfundojë mandati i anëtares prokurore nga radhët e PSRK-së, Merita Bina-Rugova, e cila ishte zgjedhur në këtë pozitë me 27 mars 2019 ku edhe kishte bërë betimin para Këshillit Prokurorial.

Në rend dite, të martën KPK vendosi të shpall konkursin dhe të zgjedh Komisionin për zgjedhjen e anëtarit të KPK-së nga radhët e prokurorëve të PSRK-së.

Megjithatë, sipas kryesuesit Ardian Hajdaraj edhe pse sipas Rregullores kërkohet që kryesuesi i komisionit të jetë nga radhët e anëtarëve joprokurorë, një gjë e tillë është e pamundur për shkak se KPK nuk ka anëtarë joprokurorë në përbërjen e saj.

Siç e dini, në bazë të rregullores në fjalë edhe pse paragrafi 3, po ju njoftoj paraprakisht i nenit 7 e ka përcaktuar që kryesuesi i këtij komisioni të jetë nga radhët e anëtarëve joprokurorë, por siç dihet ne aktualisht nuk e kemi këtë mundësi meqenëse nuk kemi anëtarë joprokurorë dhe me qëllim që të respektohet afati dhe të zgjidhet anëtari i ri nga radhët e Prokurorisë Speciale që do të jetë më 27 mars të kryhen këto procedura dhe mos të rrezikohet kourumi i Këshillit Prokurorial, atëherë e kemi fut në rend dite dhe e qes në votim këtë pikë”, tha kryesuesi Hajdaraj.

Sipas Rregullores për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Prokurorial të Kosovës, KPK themelon Komisionin që përbëhet nga tre anëtarë, një anëtar joprokuror nga KPK, e që i njëjti duhet të jetë edhe kryesues i Komisionit, një prokuror nga ZKPSH dhe një anëtar nga Sekretariati i KPK-së.

Rregullorja nuk ka lejuar mundësi tjetër, që në rast të pamundësisë së caktimit të anëtarit joprokuror të caktohet një anëtar prokuror në Komision.

Po ashtu, Rregullorja e lartcekur kërkon që vendimi për shpalljen e zgjedhjeve të anëtarëve nga radhët e prokurorëve të bëhet 3 muaj para përfundimit të mandatit të anëtarit aktual të KPK-së.

Anëtarët e Këshillit votuan pro themelimit të këtij Komisioni me përbërjen si në vijim: Arian Gashi, anëtar prokuror i KPK-së, Agron Qalaj nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit dhe Sami Istrefi, drejtor i Sekretariatit nga KPK.

Ndryshe, KPK aktualisht ka 9 anëtarë, ku me 9 anëtarë edhe arrihet kuorumi. Në rast dhe nuk zgjedhet anëtari i ri, KPK do të mbetet pa kuorum.

Kujtojmë se KPK ka mbetur pa ish-anëtarin joprokuror Agron Beka, kjo për shkak se i njëjti ishte shkarkuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, më 15 dhjetor 2023. Për shkarkimin e tij, votuan 62 deputetë.

Pas shkarkimit të Bekës, kishte reaguar edhe KPK-ja, duke paralajmëruar kontestim të vendimit përmes mekanizmave ligjor.

Më 25 shtator 2023 është miratuar rekomandimi për inicimin e shkarkimit të anëtarit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Agron Beka, nga Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit. 

Ndryshe, gjatë takimit të së martës, KPK ka refuzuar kërkesën e Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Pejë për themelimin e Panelit Hetimor ndaj një prokurori, kjo për faktin se sipas KPK-së prokurori ka dhënë dorëheqje më herët ndërsa inicimi i procedurës ishte bërë pas dorëheqjes së tij.

KPK në këtë takim ka miratuar edhe Rregulloren për Zyrën për Rikthimin e Aseteve, pas prezantimit të saj nga kryetari i Komisionit për Çështje Normative, Armend Zenelaj.

Sipas tij, kjo rregullore ka qenë në konsultime publike dhe se për të njëjtën është mbajtur edhe një punëtori. I njëjti tha se kjo rregullore hyn në fuqi menjëherë pas miratimit.

Po ashtu, KPK ka aprovuar propozimin e Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore Prishtinë, për caktimin e Udhëheqësit në Departamentin e Përgjithshëm, ku është caktuar prokurori Arianit Salihu.

Tutje, KPK ka caktuar prokuroren Luljeta Bilalli për të qenë pjesë e grupit punues në hartimin dhe harmonizimin e projekt- akteve që rrjedhin nga Ligji nr. 08/L-185 për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Dhuna në Familje, Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna në Baza Gjinore.

KPK gjithashtu ka njoftuar se prokurorja Merita Lumezi del në pension më 14 shkurt 2024, prokurori Shukri Mehemeti më 17 mars 2024 dhe prokurorja Besa Limani më 26 mars 2024. Emrat e tyre do t’i dërgohen Presidentes për lirim nga detyra.

Pikat tjera të rendit të ditës është vendosur të trajtohen me dyer të mbyllura si:  Raporti përfundimtar i rivlerësimit të një prokurori dhe kundërshtimi i tij, kërkesë për përjashtim nga çështja A.nr.26/2024, sipas kërkesës së palës, Raporti i Panelit Hetimor AD.nr.33/2023 ndaj një prokurori në Prokurorinë Themelore në Prishtinë dhe Kërkesa e prokurorëve të gjeneratës së X-të, prokurorëve të Prokurorisë së Apelit, prokurores së Prokurorisë Speciale si dhe prokurorëve nga Departamenti për Krime të Rënda Prishtinë, për realizimin e të drejtave nga marrëdhënia e punës.

Të ngjashme