Ministria ruse e mbrojtjes tha të hënën se raketa që goditi fluturimin MH17 në korrik 2014, duke i marrë jetën të 298 personave që ndodheshin në bord, ishte prodhuar në 1986 dhe ishte në pronësinë e autoriteteve ukrainase.
Zyrtarët rusë thanë se kishin mundur të gjurmonin raketën buk duke përdorur dy numra serial të gjetur në fragmentet e raketës. Sipas dokumenteve, raketa ishte prodhuar në një impiant ushtarak në Dolgoprudni, afër Moskës, në 1986 dhe ishte dërguar në Ukrainë më 29 dhjetor të po atij viti.
Rusia aludon se raketa u përdor në 2014 nga regjimenti i 223 anti ajror i Ukrainës. Deklaratat e Rusisë bien ndesh me hetimin ndërkombëtar, të udhëhequr nga Holanda, që doli në përfundimin se Rusia ishte përgjegjëse për dislokimin e platformës Buk që ishte përdorur për të rrëzuar MH17.
Hetuesit thanë në maj se raketa ishte lëshuar nga territoret që kontrolloheshin nga rebelët në Ukrainën lindore dhe se të gjitha mjetet në një autokolonë të ngarkuara me raketa, ishin pjesë e forcave të armatosura ruse.
“Ne i kërkojmë Rusisë të marrë përsipër përgjegjësinë dhe të bashkëpunojë me procesin për të vendosur drejtësi për viktimat e fluturimit MH17 dhe të afërmit e tyre – tha ministri i jashtëm holandez, Stef Blok.
Vetë Rusia ka mohuar përfshirjen në incident. Fluturimi MH17 që udhëtonte nga Amsterdami në Kuala Lumpur u rrëzua afër Donetskut, në Ukrainën lindore, më 17 korrik 2014. Të 298 pasagjerët dhe pjesëtarët e ekuipazhit në bord, mes të cilëve 193 shtetas holandezë, 43 malajzianë dhe 27 nga Australia, mbetën të vrarë në aksident.